Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar punën e ‘bluzave të bardha’ duke u shprehur se mjekësia mbetet profesioni më i ndershëm por edhe më i vështirë.

Rama theksoi se paga për mjekët dhe infermierët do të vazhdojnë të rriten.

Rama tha se vetëm për barna onkologjike do të shtohen edhe 15 mln euro në mesin e vitit të ardhshëm për të pasur një tjetër mbështetje.

“Ka marrë 50 mln euro më shumë se sa këtë vit dhe nuk janë pak për buxhetin tonë. Ka marrë 15 mln euro ekstra vetëm për barna onkologjike dhe do të shtohet edhe një 15 mln tjetër në mesin e vitit të ardhshëm për të pasur një tjetër mbështetje. Shqetësimin do e transformoj në mënyrë që gjithë presioni me Onkologjikun në Tiranë të ndahet me rijetëzimin në spitale rajonale duke garantuar të gjithë mbulimin me barna që të jenë garanci për të gjithë pacientët në të gjithë territorin. Kemi vendosur rimbursimin për 400 mijë pacientë…të gjitha këto janë në vizionin tonë. Patjetër që do të mbyllet çfarë ka mbetur pa u mbyllur dhe ambicia është për të ngritur institutin kombëtar të arsimore për të adresuar këtë problem që po bëhet më i madh. Por tanimë ju e dini që do vazhdojmë të rrisim pagat për mjekët dhe infermierët”, tha Rama.

Pjesë nga fjala e kryeministrit Rama:

kam ardhur duke qenë se është fundi i vitit dhe besoj që përtej vështirësive dhe përtej problemeve që janë pjesë e përpjekjes tonë të përbashkët, ka diçka që nuk mund të harrohet për asnjë moment, edhe që iu duhet kujtuar edhe të tjerëve, që është sakrifica dhe përkushtimi i të gjithë mjekëve, infermierëve, punonjësve të Urgjencës Kombëtare, të gjithë stafit që mbështet për çdo orë e çdo ditë të vitit pa pushim,  duke shpëtuar jetë, duke shëruar njerëz të sëmurë dhe duke kryer një shërbim jetik për shoqërinë dhe për vendin.

Natyrisht që e mira nuk bën lajm, e keqja bën lajm. Ky është rregull kudo, jo vetëm këtu, natyrisht që rreth 60 mijë operacione të suksesshme që bën shërbimi ynë shëndetësor në vit edhe plus 35 mijë ndërhyrjet mikro-kirurgjikale, që së bashku bëjnë 95 mijë ndërhyrje në trupin e njerëzve mesatarisht në vit dhe që janë të suksesshme – përderisa nuk bëjnë lajm të keq – nuk bëjnë lajm të mirë dhe mjafton një operacion i dështuar, mjafton një tragjedi për t’u kthyer në të kundërt, për të gjithë, për të gjithë trupën e mjekëve, për të gjithë shërbimin tonë kombëtar shëndetësor.

Dhe patjetër që kur ndodh pastaj që brenda këtij shërbimi identifikohen individë apo veprimtari që e njollosin bluzën e bardhë, atëherë sigurisht që kostoja e reputacionit është shumë e lartë dhe pavarësisht se totalisht e pamerituar për të tjerët, janë të gjithë që paguhen. Por, në fund të ditës për të gjithë ata që e dinë se çfarë do të thotë të shërbesh në sistemin shëndetësor, për të gjithë ata që marrin shërbim, pjesa pozitive është pozitive, është ajo që dominon.

Ne, përpara se të vinim këtu, vizituam onkologjikun, që siç e dimë shumë mirë, u bë shkas në një moment të caktuar për të ulur kokën të gjithë së bashku përballë faktesh që nuk nderojnë askënd, takuam disa pacientë, të cilët ishin shumë të kënaqur me shërbimin dhe që dukej që ishin tërësisht të sinqertë në fjalët e tyre dhe unë po i thosha drejtores dhe ministrit, që opinioni ushqehet me negativitet të madh për shërbimin shëndetësor nga ata dhe prej atyre, që fatmirësisht nuk kanë marrë ndonjëherë shërbim në spital. Sepse po të pyesësh ata që kanë marrë shërbim në spital, pjesa dërrmuese, jo të gjithë patjetër, pjesa dërrmuese kanë marrë një shërbim që e kujtojnë për mirë,  edhe i kujtojnë mjekët për mirë, nuk i kujtojnë për keq. Dhe ju këtë e dini shumë mirë, sepse keni pacientë që kanë kaluar në kujdesin tuaj dhe ju jam mirënjohës, edhe ju kujtoj për mirë.

Gjithsesi, puna jonë, e juaja këtu në front edhe e jona në mbështetjen tuaj, është që të vazhdojmë të adresojmë problemet edhe të ngremë nivelin, sepse e mira s’ka fund, ndërkohë që e keqja harrohet shpejt. Duke ardhur për këtu po flisnim me ministren që ka qenë në këto territore shumë vite përpara, si një mjeke e re edhe po thoshte që “e kam hera-herës vështirë të orientohem se ku jam për shkak të transformimit që ka ndodhur në Qendrën Spitalore Universitare”, por kjo është një gjë që harrohet.

Pamë edhe ndërtesën e re të parkimit, që do të zgjidhë përfundimisht gjithë problematikën e lëvizjes së makinave dhe parkimit të makinave mbi lulishte, sepse do të akomodojë të gjitha makinat që hyjnë në territorin e QSUNT-së.

Janë rreth 700 e ca makina që parkojnë gjatë ditës nëpër territor, ndërkohë që parkingu ka 1400 vende, kështu që do të akomodojë të gjitha makinat që ju drejtojnë. Plus do të shërbejë edhe për komunitetin rreth e rrotull, duke krijuar të ardhura që do të ndahen midis QSUNT-së dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Dhe kjo do të bëjë që ndërkohë gjithë territori i QSUNT-së sot, që është faktikisht rreth 80 mijë metra katrorë territor i lirë, të bëhet parku më i madh urban i Tiranës, duke krijuar një atmosferë tërësisht tjetër, ku rrugët e makinave të ndahen midis rrugë këmbësorësh edhe rrugë për makinat e shërbimit. Ndërkohë që, të gjithë të tjerët, makinën e lënë tek parkingu dhe vazhdojnë jetën normalisht në territor. Dhe po kujtoja kohën kur hyrja këtu ishte sikur hyje në një pazar të madh edhe Evisi më tregoi që paskeni hyrë edhe nga kangjellat në ndonjë rast. Nuk e di për ça arsye keni hyrë nga kangjellat po ma tregoi edhe këtë, paskeni hyrë dhe nga kangjellat në ndonjë rast.

A keni hyrë nga kangjellat për të ardhë në punë, a keni hipur nga kangjellat për të ikur nga puna, kjo nuk doli qartë, por edhe kangjellat i paskeni përdor në atë kaos. Që mos flas pastaj për biçikletat që futeshin deri te dera e sallës së operacionit apo për “diversantët” që hynin nga të katër anët dhe s’merrej vesh kush ishte mjeku, kush ishte pacienti, kush ishte kushëriri dhe kush ishte ai që kërkonte një kushëri dhe kishte humbur rrugën dhe i bërtiste mjekut.

Tani, përsa i përket vitit që vjen, ne kemi disa gjëra pozitive për shëndetësinë, e cila faktikisht ka marrë 50 milionë euro më shumë sesa këtë vit. Nuk janë pak për buxhetin tonë dhe ka marrë 15 milionë euro ekstra vetëm për barnat onkologjike, shumë së cilës do t’i shtohet edhe një 15 milionësh tjetër në mesin e vitit të ardhshëm për të pasur një rimbursim domethënës të barnave onkologjike, në shërbimin parësor dhe për ta siguruar mbulimin me barna në të gjithë sistemin onkologjik, të cilin do ta transformojmë faktikisht në mënyrë që gjithë presioni i madh që vjen mbi onkologjikun në Tiranë, të shpërndahet me rijetëzimin e sistemit në spitalet rajonale, duke garantuar që protokollet dhe i gjithë mbulimi me barna, të jenë garanci për pacientët në të gjithë territorin.

Faktikisht, kemi vendosur në buxhet kapacitet domethënës për të rimbursuar 400 mijë pacientë, se flasin shumë njerëzit, “jo po kur është shëndetësia falas”, “jo ku është shëndetësia falas”, po faktikisht gjithë këto gjëra që ndodhin këtu janë pjesë e këtij vizioni edhe faktikisht janë krejt ndryshe nga si ndodh në vende të tjera.

Më tutje, patjetër që do të vazhdojmë me transformimin e QSUNT-së për të mbyllur edhe çfarë ka mbetur pa u mbyllur, ndërkohë që ambicia është për të për të ngritur Institutin Kombëtar të Tumoreve dhe për të pasur një rrjet kombëtar për të adresuar këtë problem që bëhet gjithmonë e më i madh, jo në Shqipëri, por kudo ku kanceri po prek gjithmonë e më shumë njerëz.

Ndërkohë që, ju e dini tani, por do vazhdojmë të rrisim pagat për mjekët, edhe patjetër do vazhdojmë të rrisim pagat edhe për infermierët. Faktikisht do të rritet 135 euro në muaj dhe në ndërkohë është vendosur edhe diçka tjetër për herë të parë, që nuk e kemi patur mundësinë ta vendosim përpara që do të bëjmë dhe një vlerësim në punë.

Do të bëhet faktikisht indeksimi vjetor i pagës mbi bazën e vjetërsisë në punë dhe kjo do të jetë një shtesë tjetër që do të vlejë, qoftë për mjekët, qoftë për infermierët apo për teknikët e shkencave mjekësore, gjë që shkon plus asaj rritjes për të cilën unë fola.

Në ndërkohë, do vazhdojmë sigurisht edhe me gjithë atë pjesën tjetër të planit për të rritur digjitalizimin cilësisht, edhe për të futur sa më shumë dhe sa më shpejt edhe inteligjencën artificiale në proceset e trajtimit të pacientëve nga ana e shërbimit shëndetësor.

Pra ndryshe nga ndonjëherë tjetër, nuk kam ndonjë fjalë të pakëndshme për thënë. Desha vetëm që t’ju shprehja respektin dhe mbështetjen dhe t’ju thosha që më e mira është e gjitha përpara, jo për mua dhe për Sokolin kuptohet, po për shumicën nga ju që jeni më të ri se ne.

Ndërkohë që përsa na takon mendojmë që unë dhe Sokoli domethënë, mendojmë që do bëjnë më të mirën, që e mira që është përpara për shumicën të jetë e prekshme, vit pas viti.

Kam shumë besim që me përkushtimin dhe qartësinë që ka ministrja, por edhe me përkushtimin dhe dëshirën për të çuar përpara punën këtu të drejtores së re, si dhe me përkushtimin tuaj si drejtues, edhe si njerëz që udhëhiqni pjesë të caktuara të sistemit, pa vënë pastaj në diskutim përkushtimin e jashtëzakonshëm të gjithë vajzave dhe djemve të Urgjencës Kombëtare do ta rrisim cilësisht përsëri edhe në vitin e ardhshëm shërbimi tonë shëndetësor.

Dua ta mbyll duke bërë një urim shumë të veçantë dhe shumë të ndjerë për gjithë familjen tuaj. Jo thjesht familjen e madhe këtu, por edhe çdo familje të secilit prej jush, të secilës prej jush, sepse siç ju e dini, po besoj që unë e kuptoj ndërkohë që shumë të tjerë që e shikojnë punën tonë nga larg nuk e kuptojnë, por familjet tuaja paguajnë një kosto jo të vogël për punën tuaj. Sepse puna juaj s’ka orar shpesh herë, sepse puna juaj ka shumë stres gjithmonë, sepse puna juaj merr shumë energji që shkojnë për njerëz që derisa vijnë dhe shtrohen këtu as nuk e keni ditur që ekzistojnë dhe pastaj bëhen sikur të ishin fëmijët tuaj që duhet të përkujdeseni me një vëmendje që nganjëherë i mungon edhe fëmijëve tuaj apo i mungon edhe prindërve tuaj. Dhe për gjithë këtë, ata që janë në shtëpitë tuaj e dinë më mirë se ju, se çfarë do të thotë për ta.

Kështu që uroj që të kenë shëndet dhe ju uroj që të jeni sa më të qetë dhe sa më të gëzuar në këtë fundviti, edhe që më e mira të jetë për ju dhe për familjet tuaja në vitin që po troket.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: