Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka kërkuar mobilizim të diplomacisë serbe për të kundërshtuar njohjet e reja të Kosovës, ndonëse kjo qasje është në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit.

Në një konferecë të mbajtur për mediat, Vuçiç i qëndroi sërish deklaratave të tij duke thënë se “Kosova është pjesë e Serbisë dhe se kështu do të jetë”.

“As ju dhe as ata nuk do ta ndryshoni këtë, prandaj ju lutem mos diskutoni për këtë, përndryshe nuk e keni përfaqësuar politikën tonë”, ka porositur Vuçiç.

Ky qëndrim është në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit, dhe gjithashtu kundër aktit të Mbrojtjes së SHBA i nënshkruar së fundmi nga Presidenti Donald Trump, ku i kërkon palëve të angazhohen për diskutimeve konstruktieve dhe zbatimin e ujdive të Brukselit.

“Pozita e ambasadorit dhe pozita e kreut të zyrës përfaqësuese serbe nuk mund të jetë çështje komoditeti dhe konformiteti i dikujt, por duhet të jetë çështje e luftës së vazhdueshme të dikujt në nivel të përditshëm për interesat e Republikës së Serbisë. Me këtë dua të them, një luftë të vërtetë dhe të sinqertë dhe jo ta keni kënaqësinë e vendit pritës”, ka theksuar Vuçiç.

Bahamas është bërë javën e shkuar shteti i katërt brenda vitit që e ka njohur Kosovën, pas Sirisë, Sudanit dhe Kenias. Me njohjen e fundit bëhen gjithsej 121 shtete që e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb