Ministria e Shëndetësisë e Qeverisë së Serbisë ka shpallur konkurs për 300 vende të reja pune në institucionet e saj shëndetësore në mjediset me shumicë serbe në Kosovë.

Kjo është hera e dytë që ajo premton vende të reja punë në prag të zgjedhjeve në shtetin fqinj këtë vit, për çka është kritikuar nga Kosova.

Këto konkurse janë rihapur në kulmin e fushatës parazgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, të cilat mbahen më 28 dhjetor, ku merr pjesë edhe Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Ndërkohë, zyrtarë të lartë të Listës Serbe janë në krye të shumë institucioneve shëndetësore. Për shembull, kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, është drejtor i Qendrës Klinike-Spitalore në Mitrovicën e Veriut, ndërsa kandidatja për deputete Mirjana Dimitrijeviq është në krye të Qendrës së Mjekësisë Familjare në Graçanicë, afër Prishtinës.

Siç mund të shihet në faqen e internetit të Ministrisë së Shëndetësisë së Serbisë, konkurset e reja kanë të bëjnë me pranimin në marrëdhënie pune në institucionet shëndetësore në Graçanicë, Shtërpcë, Mitrovicë të Veriut, Gjilan, Obiliq, Fushë Kosovë dhe Zubin Potok, për një periudhë të caktuar prej gjashtë muajsh.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka bërë të ditur se janë në zhvillim edhe konkurse për 50 vende të tjera pune në institucionet shëndetësore në Kosovë, të cilat janë shpallur më 22 dhjetor.

“Me punësimet e reja do të përmirësohet edhe më tej niveli i mbrojtjes shëndetësore në mjediset serbe në Kosovë dhe Metohi, gjë që tregon kujdesin e qartë të shtetit të Serbisë dhe të presidentit Aleksandar Vuçiq për popullin e vet në KiM”, thuhet në njoftim.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb