Lajmet e fundit se Mercedesi dhe Red Bull mund të kenë fituar një avantazh në një zonë gri të rregullores për vitin 2026 janë ndër temat më të diskutuara në botën e Formulës 1. Sipas raportimeve, si në fabrikën e Brackley-t ashtu edhe në atë të Milton Keynes, skuadrat mund të kenë gjetur një mënyrë për të rritur raportin e kompresionit të njësive termike në mënyrë jo plotësisht ligjore, por që është e vështirë të provohet si e paligjshme.
Raporti i kompresionit është i kufizuar në 16:1 sipas rregullores së re teknike, por besohet se Mercedesi dhe Red Bulli kanë zbuluar një “hile” për të ruajtur nivelin 18:1 që ishte i detyrueshëm gjatë vitit 2025, në kushte të caktuara funksionimi dhe temperature. A do të ishte e mundur të matet apo të kufizohet ky avantazh shtesë? Apo nuk do të ketë kapacitet për ta bërë këtë deri në Çmimin e Parë të vitit në Melburn?
Toto Volf, CEO i Mercedes AMG F1, u pyet për këtë favorizim të mundshëm në podkastin e faqes zyrtare të F1: “Nuk duhet të vetëkënaqemi kurrë. Ne jemi njerëz që e shohim gotën gjysmë bosh, kurrë gjysmë plot”, tha ai fillimisht, duke theksuar se në këtë fazë të sezonit gjithçka janë thashetheme.
“Gjithçka fillon me armikun brenda shtëpisë. MekLaren ka qenë skuadra më e mirë këtë vit me një njësi fuqie Mercedes, kështu që nëse njësia jonë do të ishte vërtet superiore, diçka që ne kurrë nuk e pretendojmë, atëherë do të duhej të mposhtnim Uilliamsin, MekLarenin dhe Alpinen. Prandaj nuk u kushtojmë vëmendje thashethemeve që qarkullojnë. Do t’i quaja thashetheme parukerie.
Për më tepër, këto thashetheme janë gjithmonë të rrezikshme, sepse dikush diku, në një skuadër tjetër, prodhues motori apo furnizues karburanti, do të mendojë: ‘Mirë na vjen që na shohin si favoritë, por do t’ua tregojmë ne’”, thotë ai me ironi.
Megjithatë, austriaku nuk e mohon plotësisht që motori Mercedes mund të nisë me një avantazh të vogël. “Në fakt, disa prej tyre (Uilliams dhe Alpine) kanë pasur më shumë kohë zhvillimi në tunelin e erës, sepse nuk kanë qenë mirë të pozicionuar në kampionatin e konstruktorëve. Disa do të vijnë me risi që ne ndoshta nuk i kemi zbuluar ende”, përfundoi austriaku.
