Një stuhi e fuqishme ka goditur Kaliforninë që nga e mërkura, duke sjellë shira të rrëmbyeshëm dhe erëra të forta, të cilat kanë shkaktuar rrëshqitje dherash. Situata ka detyruar autoritetet të nisin operacione shpëtimi dhe të lëshojnë urdhra evakuimi në disa zona të rrezikuara.
Zonat e prekura më herët nga zjarret shkatërruese në muajin janar janë vënë në gatishmëri evakuimi, për shkak të rrezikut të shtuar nga rrëshqitjet e dheut. Zyrtarët e Qarkut të Los Anxhelosit bënë të ditur se një ditë më parë kishin dërguar rreth 380 urdhra evakuimi në banesa të konsideruara veçanërisht të cenueshme.
Në Qarkun San Bernardino, zjarrfikësit raportuan se po shpëtonin persona të bllokuar në automjetet e tyre pasi balta dhe mbeturinat përmbytën një rrugë që të çonte drejt vendpushimit malor Wrightwood, në malet San Gabriel, rreth 130 kilometra në verilindje të Los Anxhelosit. Autoritetet nuk bënë të ditur menjëherë numrin e saktë të personave të shpëtuar.
Zjarrfikësit kryen gjithashtu kontrolle sigurie derë më derë, ndërsa në zonë u vendos një urdhër për të qëndruar në shtëpi. Ndërkohë, zona Little Creek, po ashtu në malet San Gabriel, u vu nën urdhër evakuimi këtë pasdite, teksa reshjet e shiut vazhduan pa ndërprerje.
Pamje të publikuara nga autoritetet lokale treguan baltë dhe mbeturina që vërshonin në rrugët e Wrightwood, ndërsa video të tjera shfaqnin ujëra të rrëmbyeshëm që kalonin mbi verandat e shtëpive, duke nënvizuar rrezikun e situatës për banorët.
