Të paktën 12 persona humbën jetën pasi një varkë që transportonte dhjetëra migrantë të parregullt u përmbys të mërkurën në brigjet e Senegalit.

Sipas një zyrtari që foli për AFP në kushte anonimiteti, incidenti ndodhi në orët e para të mëngjesit në brigjet e Zoal. “Dymbëdhjetë trupa janë gjetur”, tha ai, duke shtuar se varka ishte nisur nga Delta e Saloumit.

Delta e Saloumit, e formuar nga bashkimi i tre lumenjve dhe e përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, karakterizohet nga kanale të shumta, ishuj të vegjël dhe pyje mangrovash, çka e bën zonën të aksesueshme kryesisht vetëm me varkë.

Një burim tjetër zyrtar konfirmoi për AFP bilancin e përkohshëm të viktimave, duke theksuar se në bord ndodheshin rreth 100 migrantë të parregullt, të cilët shpresonin të arrinin në Evropë.

“Janë 32 të mbijetuar. Pjesa tjetër besohet se është larguar përpara se të mbërrinin ekipet e shpëtimit”, deklaroi një zyrtar për AFP-në.

Presidenti i Senegalit, Bassirou Diomaye Faye, shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave përmes një postimi në rrjetet sociale. “Ne ndajmë dhimbjen dhe pikëllimin e tyre, ndërsa operacionet e kërkimit për të mbijetuar vazhdojnë”, shkroi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb