Raportohet se Steve Witkoff, Përfaqësuesi Special i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, informoi Izraelin dhe ndërmjetësuesit se faza e dytë e planit të armëpushimit në Gaza do të fillojë në fillim të janarit.
Sipas një lajmi nga televizioni Channel 13 në Izrael, duke cituar një zyrtar të lartë izraelit, Witkoff informoi Izraelin dhe ndërmjetësuesit se faza e dytë e marrëveshjes për Gazën do të fillojë në fillim të janarit.
Në lajm vihet në dukje se Izraeli është i shqetësuar se Trump do të ushtrojë presion që faza e dytë të vazhdojë pa çarmatosur Gazën.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi më 9 tetor se Izraeli dhe Hamasi kishin miratuar fazën e parë të planit të armëpushimit në Gaza gjatë negociatave që po zhvilloheshin në Egjipt.
Marrëveshja e nënshkruar në Egjipt ku u zhvilluan negociatat, hyri zbatim më 10 tetor me miratimin e qeverisë izraelite.
Pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit të arritur në Rripin e Gazës, ushtria izraelite vazhdon herë pas here sulmet e saj ndaj palestinezëve me pretendime të ndryshme.
Më 17 nëntor, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 2803, të paraqitur nga SHBA-ja, duke miratuar krijimin e një force ndërkombëtare kalimtare që do të shërbejë deri në fund të vitit 2027.
Sipas rezolutës, Gaza do të qeveriset gjatë periudhës së tranzicionit nga një organ jopolitik dhe teknokratik.
Kjo strukturë do të funksionojë nën mbikëqyrjen e një autoriteti të ri kalimtar, të quajtur Bordi i Paqes, i cili përfshin aktorë ndërkombëtarë. Presidenti i SHBA-së Trump do të kryesojë Bordin. Përveç disa liderëve botërorë, anëtar do të jetë edhe ish-kryeministri britanik Tony Blair.
