Dinamo do të zbresë në fushë për herë të fundit këtë vit kalendarik, ku do të ketë edhe shansin që të fitojë trofeun e parë sezonal.

Kryeqytetasit do të luajnë finalen e Superkupës ditën e diel, duke nisur nga ora 19:00 në stadiumin “Air Albania”, ku përballë tyre do të jetë Egnatia me petkun e kampionit në fuqi dhe njëkohësisht, fitues i Superkupës. Për finalen, Dinamo nuk ka kohë të pushojë dhe menjëherë pas ndeshjes me Partizanin, ka zbritur në fushë për të nisur përgatitjet.

Ditën e djeshme, ekipi ka zhvilluar seancën e parë stërvitore, ndërkohë që do të ketë shumë pak ditë pushim për lojtarët. Ekipi do të marrë pushimet në datën 29 dhjetor, menjëherë pas finales dhe do të rikthehet në fushë në datën 3 janar, ku edhe do të nisë përgatitjet për pjesën e mbetur të sezonit.

Dinamo e mbylli gjysmën e kampionatit me fitore kundër Partizanit, duke konsoliduar pozitat e saj në renditje dhe tashmë e sheh veten në vendin e tretë. Me Egnatian, Dinamo është përballur një herë në finale këtë vit dhe e ka bërë pikërisht në Kupën e Shqipërisë, aty ku ka fituar skuadra e drejtuar nga Daja duke marrë trofeun e parë pas shumë vitesh.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb