Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) ka bërë të ditur se dronë me rreze të gjatë veprimi, të prodhuar në Ukrainë, kanë goditur objektiva strategjike energjetike në territorin rus. Sipas njoftimit, sulmet kanë shënjestruar rezervuarë nafte në portin rus të Temryuk, në rajonin e Krasnodarit, si dhe uzinën e përpunimit të gazit natyror në Orenburg, në jugperëndim të Rusisë.

Uzina e Orenburgut konsiderohet më e madhja e këtij lloji në botë dhe ndodhet rreth 1,400 kilometra larg kufirit me Ukrainën. Burime ukrainase bënë të ditur se në këto operacione janë përdorur edhe raketa të tipit “Storm Shadow”.

Nga ana tjetër, autoritetet ruse në rajonin e Krasnodarit konfirmuan se dy cisterna nafte janë përfshirë nga flakët në portin e Temryuk pas një sulmi me dron. Sipas një njoftimi të selisë operative të Krasnodarit në platformën Telegram, zjarri ka përfshirë një sipërfaqe rreth 2,000 metra katrorë.

Ndërkohë, Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës raportoi se forcat ukrainase kanë goditur edhe një bazë ajrore ruse në qytetin Kaykop, në rajonin e Kaukazit të Veriut.

Që prej muajit gusht, Kievi ka intensifikuar sulmet ndaj rafinerive dhe infrastrukturës energjetike ruse, në një përpjekje për të dëmtuar të ardhurat e Moskës nga eksportet e naftës, të cilat përbëjnë një nga burimet kryesore të financimit të luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb