Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, ka folur për atmosferën festive në bashkinë që ai drejton, duke theksuar harmoninë fetare dhe përfshirjen e të gjithë qytetarëve në festimet e Krishtlindjeve.
Ndreu u shpreh se Krishtlindjet janë festa më e rëndësishme për besimtarët e krishterë, por në Lezhë ato festohen nga e gjithë komuniteti, pavarësisht përkatësisë fetare. Sipas tij, festimet nisin herët dhe shtrihen në disa ditë, si pjesë e një tradite të konsoliduar bashkëjetese.
“Lezha ka një popullatë të madhe të krishterë, por kjo nuk është arsyeja e vetme e festimeve të mëdha. Ne jemi një komunitet i përzier. Gruaja ime është myslimane, sekretari i përgjithshëm është mysliman, bashkëshortja e tij e krishterë. Edhe brenda familjes sime festojmë të dyja besimet. Në datën 24 bëjmë një darkë pa mish, sipas traditës, ndërsa ditën tjetër përgatitet darka festive. Është një festë ku përfshihemi të gjithë, pa përjashtim,” u shpreh kryebashkiaku.
Ai shtoi se, ndonëse nuk është praktikant i fesë, e respekton dhe e shijon frymën festive, duke nënvizuar se shoqëria shqiptare është ndërtuar mbi ekuilibra të qëndrueshëm bashkëjetese dhe tolerance fetare.
“Në familjet tona jemi të miksuar nga ana fetare dhe jetojmë në harmoni. Ulemi në të njëjtën tavolinë dhe urojmë njëri-tjetrin si për Krishtlindje ashtu edhe për Bajram,” tha Ndreu.
Kryebashkiaku theksoi gjithashtu se Bashkia Lezhë ka ndërmarrë nisma të shumta sociale gjatë kësaj periudhe festive, duke organizuar aktivitete dhe ndihma për njerëzit në nevojë, personat me aftësi ndryshe dhe shtresat më vulnerabël të shoqërisë.
Sipas tij, gjatë ditëve të festave, qyteti është i gjallëruar nga aktivitete të përditshme në shesh, ndërsa Qendra Kombëtare e Fëmijëve dhe Pallati i Kulturës po zhvillojnë një numër të madh eventesh kulturore e argëtuese, duke krijuar një atmosferë festive të paprecedentë në qytet.
Në përfundim, Ndreu nënvizoi se Krishtlindjet në Lezhë janë më shumë sesa një festë fetare, duke u kthyer në një simbol të bashkimit, solidaritetit dhe harmonisë mes qytetarëve.
