Në një fjalim të transmetuar nga kanali televiziv britanik Channel 4, komediani i njohur amerikan Jimmy Kimmel deklaroi se viti 2025 ka qenë, “nga një këndvështrim fashist”, një “vit shumë i mirë” në Shtetet e Bashkuara.

“Nuk mendoj sinqerisht se kam idenë më të vogël se çfarë po ndodh këtu, por e di çfarë po ndodh dhe mund t’ju them se, nga një perspektivë fashiste, ka qenë një vit shumë pozitiv”, tha Kimmel në fillim të fjalimit të tij, duke shtuar më vonë se “tirania lulëzon këtu”.

Duke përdorur satirën politike, ai tha se shumëkush mendon se heshtja e kritikëve është diçka që ndodh vetëm në vende si Rusia apo Koreja e Veriut, “jo në Mbretërinë e Bashkuar apo në SHBA”. Në këtë kontekst, Kimmel bëri shaka duke iu referuar presidentit Donald Trump si “Mbret Donnie VIII”, në një aludim për mbretin Henry VIII, duke përmendur gjithashtu se shfaqja e tij televizive është rikthyer “më e fortë se kurrë” dhe se kontrata e tij është zgjatur deri në mesin e vitit 2027.

Në fund të fjalimit, Kimmel u bëri thirrje qytetarëve britanikë të mos i braktisin amerikanët. “Po kalojmë një periudhë pak të vështirë, por do të rikuperohemi. Mund të mos duket kështu, por ju duam,” tha ai. Channel 4 transmeton çdo vit që nga viti 1993 një fjalim alternativ të Krishtlindjeve për monarkun britanik. Këtë vit, transmetuesi zgjodhi Jimmy Kimmel, një nga figurat më të njohura të “late-night shows” amerikane. Kimmel ka qenë së fundmi në qendër të vëmendjes edhe për polemika në SHBA, pasi programi i tij u pezullua për disa ditë në shtator, pas akuzave të tij ndaj të djathtës amerikane për shfrytëzim politik të vrasjes së Charlie Kirk, një mbështetës dhe ndikues i ish-presidentit Donald Trump.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb