Analisti politik Edvin Kulluri ka komentuar situatën e tensionuar brenda Partisë Demokratike, gjatë një interviste në studion e News24, duke hedhur poshtë pretendimet e lidershipit aktual se deputeti Ervin Salianji është “vetëpërjashtuar” nga partia.

Sipas Kullurit, deklaratat e drejtuesve të PD-së nuk qëndrojnë dhe tregojnë një krizë serioze politike dhe organizative brenda forcës më të madhe opozitare. “Nuk e di nga e kanë shpikur vetëpërjashtimin, është marrëzi. Nuk di që Salianji të ketë përjashtuar veten”, u shpreh analisti.

Ai iu referua edhe akuzave të bëra nga Sali Berisha dhe Flamur Noka, sipas të cilave takimi i zhvilluar në Elbasan ishte organizuar nga Salianji në bashkëpunim me krimin e organizuar. Kulluri theksoi se akuza të ngjashme janë bërë më parë edhe brenda PD-së, duke përmendur se Gazment Bardhi kishte hedhur dyshime për takime të Berishës në Elbasan.

“Bardhi sot fut kokën si struci poshtë tavolinës dhe nuk thotë qartë kush është takuar me krimin e organizuar në Elbasan, Berisha apo Salianji. Me llafe kafeneje nuk bëhet politikë, mund të sajojë kushdo”, deklaroi Kulluri.

Analisti kërkoi transparencë dhe prova konkrete nga drejtuesit e PD-së, duke theksuar se në mungesë të tyre, akuzat janë të pabazuara. “Këtu nuk ka asnjë të dhënë. Nëse ka prova, t’i bëjnë publike. Në të kundërt, duhet të japin dorëheqje së bashku me Salianjin”, u shpreh ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb