Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke u ndalur te rasti i zv/kryeministres Belinda Balluku, e cila është e pandehur nga SPAK, ndërsa Prokuroria e Posaçme ka kërkuar edhe arrestimin e saj.

Sipas Koçit, bëhet fjalë për zhvillime të pazakonta në raport me drejtësinë, veçanërisht kur ajo prek drejtpërdrejt segmente të administratës dhe qeverisë. Ai theksoi se, ndryshe nga rasti i AKSHI-t që konsiderohet administratë, çështja që lidhet me Ballukun prek drejtpërdrejt qeverinë.

“Janë zhvillime jo të zakonshme, madje të jashtëzakonshme, në raport me drejtësinë. Pjesa që lidhet me Ballukun ka të bëjë drejtpërdrejt me qeverinë,” u shpreh Koçi.

Ish-deputeti socialist tha se, sipas gjykimit të tij personal, reagimi institucional ndaj këtij rasti nuk ka qenë i duhuri. Ai vlerësoi se Balluku duhej të kishte dhënë dorëheqjen menjëherë ose të ishte shkarkuar, duke shtuar se mungesa e një veprimi të tillë komprometon momentin politik të qeverisë.

“Do të ishte më e udhës që ose të jepte dorëheqjen menjëherë, ose të ishte shkarkuar. Nuk e di pse nuk ka ndodhur kjo, por mendoj se është një qasje e gabuar dhe në një farë mënyre kompromenton momentin politik të qeverisë,” deklaroi Koçi.

Ai theksoi se ky qëndrim nuk përputhet me standardet e vendosura prej vitesh nga Partia Socialiste në raste të ngjashme, duke përmendur rastin e Erion Veliajt dhe situata të tjera. Koçi kujtoi se në PS ka ekzistuar një parim i qartë: kur ndaj një zyrtari nis një çështje penale, ai duhet të japë dorëheqjen dhe të pezullohet nga funksionet partiake deri në përfundim të procesit gjyqësor.

Duke krahasuar rastin Balluku me atë të Veliajt, Koçi sqaroi se situatat ndryshojnë, pasi Veliaj është kryetar bashkie dhe qeveria nuk ka rol në procedimin e tij nga SPAK. Megjithatë, ai kujtoi se kryeministri Edi Rama ka mbajtur një qëndrim të kujdesshëm, duke kritikuar drejtësinë pa vënë në dyshim mbështetjen e mazhorancës ndaj reformës në drejtësi.

“PS ka qenë gjithmonë garantja e drejtësisë së re dhe ka mbajtur qëndrimin se ajo duhet mbështetur dhe jo penguar,” përfundoi Koçi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb