Tajlanda dhe Kamboxhia ranë dakord sot për një armëpushim të menjëhershëm në konfliktin e tyre kufitar, i cili gjatë tre javëve të fundit ka shkaktuar të paktën 47 viktima dhe ka detyruar afro një milion persona të zhvendosen nga shtëpitë e tyre, sipas një deklarate të përbashkët të dy vendeve.
Marrëveshja u nënshkrua nga ministrat e mbrojtjes të dy shteteve të Azisë Juglindore dhe hyn në fuqi në orën 12:00 të mesditës me orën lokale, më 27 dhjetor 2025. Sipas tekstit, “të dy palët bien dakord për një armëpushim të menjëhershëm, i cili zbatohet që nga momenti i nënshkrimit të kësaj deklarate të përbashkët”.
Deklarata parashikon gjithashtu lejimin e kthimit të banorëve të zonave kufitare të prekura në shtëpitë e tyre “sa më shpejt të jetë e mundur, në kushte sigurie dhe dinjiteti të plotë”. Marrëveshja përfshin ngrirjen e pozicioneve ushtarake, çminimin e zonave kufitare, bashkëpunimin policor kundër krimit kibernetik, si dhe lirimin e 18 ushtarëve kamboxhianë nga autoritetet tajlandeze pas 72 orësh nga hyrja në fuqi e armëpushimit.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë përleshjeve të fundit janë vrarë 47 persona, prej të cilëve 26 në anën tajlandeze dhe 21 në anën kamboxhiane. Tajlanda dhe Kamboxhia kanë prej dekadash mosmarrëveshje lidhur me demarkacionin e kufirit të tyre prej rreth 800 kilometrash, i cili u përcaktua gjatë periudhës koloniale franceze. Luftimet u rindezën në fillim të dhjetorit, pas prishjes së një armëpushimi të mëparshëm të arritur në korrik, me ndërmjetësimin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
