Prokuroria e Sarandës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim pesë shtetas, mes të cilëve kryeinspektori dhe disa inspektorë të Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit (IVMT) Sarandë, të akuzuar për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Ndërtim i paligjshëm”.
NJOFTIMI I PROKURORISE
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka përfunduar hetimet dhe dërgon në gjyq pesë shtetas, midis të cilëve dhe kryeinspektorin dhe inspektorin e Inspektorati Vendor i Mbrojtjes së Territorit (IVMT), Sarandë për veprat penale ‘Shpërdorim detyre’ dhe ‘Ndërtim i Paligjshëm’, parashikuar nga nenet 248 dhe 199/a/4 të Kodit Penal.
Nga hetimet mbi procedimin penal nr.416 të vitit 2023 rezultoi se në zonën e Ksamilit në vendin e quajtur “Kanali i Vivarit”, është ndërtuar në zonë të mbrojtur në një sipërfaqe të madhe pa leje ndërtimi nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit si dhe pa kontratë me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit.
Kanali i Vivarit bën pjesë në Parkun Kombëtar “Butrint” dhe ka statusin Monument Natyre (MN) sipas Vendimit nr.303, datë 10.5.2019 “Për miratimin e listës së rishikuar, të monumenteve të natyrës shqiptare” (të përditësuar), ndryshuar me VKM nr 187 datë 25.03.2021 “Rishikim”
Nga ana e punonjësve të IVMT Bashkia nuk është mbajtur procedura ligjore në lidhje me konstatimin e plotë të punimeve dhe marrjen e masës administrative ‘dënim me gjobë’.
Sa më sipër u dërgun në gjyq shtetasit:
· R.P, për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a/4 i Kodit Penal dhe “Pushtimi i tokës” parashikuar nga neni 200 i K.Penal. “Shpërdorimi i tokës” parashikuar nga neni 199 dhe “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore” parashikuar nga neni 202/b i K.Penal;
· Personin Juridik “Laguna Invest”, për veprën penale “Ndërtimi i Paligjshëm” parashikuar nga neni 199/a/4 i K.Penal, “Pushtimi i tokës” parashikuar nga neni 200 i K.Penal;
· Shtetasit E.Z, B.K, V.X, me detyrë inspektor të IVMT, Bashkia Sarandë në kohën e kryerjes së veprës penale, të akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i K.Penal; dhe
· Shtetasin A.M, me detyrë Kryeinspektor të IVMT Bashkia Sarandë, në kohën e kryerjes së veprës penale, akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i K.Penal.
