Një krim i rëndë familjar ka tronditur opinionin publik në Shtetet e Bashkuara, ku një grua humbi jetën dhe vajza e saj 13-vjeçare mbeti e plagosur rëndë. Ngjarja ndodhi pas një konflikti familjar që shpërtheu gjatë ndjekjes së një ndeshjeje të NFL-së.
Krimi u regjistrua në Qarkun Polk, Florida. Sipas autoriteteve, 47-vjeçari Jason Kenney, i cili dyshohet se ishte nën ndikimin e alkoolit, qëlloi për vdekje bashkëshorten e tij, Crystal Kenney, pas një debati të ashpër. Sherri nisi kur ajo i kërkoi të ndalonte transmetimin e ndeshjes mes San Francisco 49ers dhe Indianapolis Colts.
Sherifi i Qarkut Polk, Grady Judd, bëri të ditur se situata u përshkallëzua me shpejtësi. Në momentet e tensionit, gruaja i kërkoi djalit të saj 12-vjeçar të njoftonte shërbimet e emergjencës, ndërsa vajza 13-vjeçare arriti të largohej nga banesa për të kërkuar ndihmë te fqinjët. Pak minuta më pas, u raportuan të shtëna me armë zjarri.
Kur policia mbërriti në vendngjarje, gjeti Crystal Kenney pa shenja jete, ndërsa vajza e saj ishte plagosur në fytyrë dhe në shpatull. Ajo u transportua me urgjencë në spital dhe ndodhet në gjendje kritike, por të qëndrueshme. Autori u lokalizua më vonë në pronën e babait të tij. Gjatë përpjekjeve të policisë për ta bindur të dorëzohej, ai i dha fund jetës së tij.
Gjatë kontrollit në banesën e familjes, autoritetet gjetën një shënim të shkruar nga viktima, ku ajo i kërkonte bashkëshortit të kërkonte ndihmë për problemet me alkoolin dhe drogat. Tre fëmijët e familjes, përfshirë edhe një foshnjë 1-vjeçare, nuk u lënduan dhe aktualisht ndodhen nën kujdesin e gjyshërve.
Mum-of-three killed and teen girl injured in Christmas shooting over TV remote https://t.co/dro35yzEyX
— The Sun (@TheSun) December 26, 2025
