Drejtoresha e Informacionit në News24, Anila Jole, e ftuar në emisionin “Kjo Javë”, ka komentuar zhvillimet dhe intensitetin e punës së SPAK gjatë vitit 2025, duke e cilësuar këtë periudhë si një provë të rëndësishme për drejtësinë shqiptare dhe raportin e saj me politikën dhe median.
Sipas Joles, pavarësisht kritikave, problemeve apo pakënaqësive që mund të ekzistojnë, SPAK ka treguar se po punon gjithnjë e më shumë dhe me një shtrirje më të gjerë të hetimeve. Ajo e lidhi drejtpërdrejt punën e SPAK me rolin e medias dhe me atë që ndodhi me News24, duke theksuar se denoncimet e vazhdueshme të redaksisë për afera dhe shkelje ligjore në tendera kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë.
“Që para dy vitesh, gazetarja jonë Klodiana Lala publikoi lajmin e parë për aferën e Llogarasë. Më pas vijuan denoncime të tjera nga News24 dhe emisioni ‘Vetting’. Të gjitha këto hetime mediatike për shkelje dhe paligjshmëri në tendera nuk janë rastësi,” u shpreh Jole. Sipas saj, goditja kryesore në këtë proces lidhet me zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Jole theksoi se marrja e Ballukut si e pandehur dhe ngritja e akuzave ndaj saj zbulojnë qartë lidhjen mes denoncimeve mediatike dhe zhvillimeve të mëvonshme. “Gjithë denoncimet që ne bënim prej muajsh për zonjën Balluku përfunduan me hakmarrje ndaj News24,” deklaroi ajo.
E pyetur nëse mendohej se SPAK do të shkonte deri kaq lart në hierarkinë shtetërore, Jole u shpreh se kjo ishte një ngjarje e paprecedentë. “Që drejtësia të arrijë deri te zëvendëskryeministrja, te numri dy i qeverisë, është një provë e fortë për pavarësinë e saj. Ky është një gur i rëndë që SPAK ka vendosur në punën e tij,” tha ajo.
Sipas Joles, ky zhvillim ka rritur ndjeshëm besimin e publikut te drejtësia, duke thyer skepticizmin se hetimet nuk mund të shkojnë te figurat më të fuqishme politike. “Shumë njerëz mendonin se drejtësia nuk ngjitet dot shumë lart. Por ja që u ngjit, te një nga figurat më të fuqishme të qeverisë,” theksoi ajo.
Ajo nënvizoi se akuzat ndaj Ballukut janë të rënda dhe tashmë i takon SPAK t’i argumentojë ato në gjykatë, në mënyrë që drejtësia të japë vendimin e duhur. Në përfundim, Jole vuri në dukje rolin e medias në këtë proces: “Media ka për detyrë të jetë transparente, e vërtetë dhe e përgjegjshme ndaj publikut. Rasti Balluku provoi se denoncimet tona ishin reale dhe u përkthyen në një dosje konkrete ndaj zëvendëskryeministres.”
