Drejtoresha e Informacionit në News24, Anila Jole, e ftuar në emisionin “Kjo Javë”, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në opozitë, duke u ndalur te situata brenda Partisë Demokratike dhe lëvizjet e ndërmarra së fundmi nga Ervin Salianji.
Sipas Joles, në radhët e demokratëve vërehet një pakënaqësi e qartë ndaj gjendjes aktuale të partisë. “Kam përshtypjen se vetë demokratët janë të mërzitur nga kjo status quo në PD,” u shpreh ajo, duke theksuar se mungesa e ndryshimit dhe e një vizioni të ri ka krijuar lodhje dhe zhgënjim te baza.
Në këtë kontekst, Jole vlerësoi lëvizjen e Ervin Salianjit si një veprim që, pavarësisht kohës apo kostos personale, pati ndikim pozitiv në dinamizimin e Partisë Demokratike. “Salianji, për mendimin tim, sakrifikoi veten në një farë kuptimi. Ndoshta nuk ishte momenti i duhur, por ai bëri një gjë të mirë: e vuri PD-në në lëvizje dhe detyroi lidershipin të flasë për analizë,” tha ajo.
Sipas drejtoreshës së Informacionit në News24, ky zhvillim tregon se brenda PD-së po rritet bindja se partia ka nevojë për ndryshim të thellë dhe për një lidership të ri. “Lëvizja e Salianjit tregoi qartë se edhe vetë demokratët mendojnë se ka nevojë për një drejtim të ri në parti,” theksoi Jole.
