Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka nisur takimin e tij të paralajmëruar me demokratët në qytetin e Shkodrës, ku ka reaguar ashpër ndaj mesazheve të dërguara nga zyrat e PD-së, që u bënin thirrje anëtarëve të mos merrnin pjesë në këtë takim, me pretendimin se ai ishte i organizuar nga kryebashkiaku Benet Beci.
Në fjalën e tij përpara demokratëve, Salianji tha se mesazhi i shpërndarë është kthyer në një praktikë të zakonshme në çdo takim që ai zhvillon në qytete të ndryshme të vendit. “Gjatë ditës së djeshme, ju dhe pothuajse të gjithë demokratët keni parë një mesazh që vjen në emër të PD-së dhe që thotë se ky takim organizohet nga Benet Beci. Mesazhi vjen nga një numër që paguhet nga Partia Demokratike,” u shpreh Salianji.
Ai kritikoi drejtuesit e partisë për, sipas tij, mungesë komunikimi me bazën dhe përdorim të burimeve vetëm për të penguar takime të tilla. “Nuk ju kanë uruar as për Krishtlindje, as për Bajram, nuk kanë bërë thirrje për protesta, por bëjnë thirrje që të mos takohemi bashkë,” deklaroi Salianji, duke i cilësuar këto veprime si të kota dhe të motivuara nga frika për humbjen e pozicioneve drejtuese.
Salianji u ndal edhe te rasti i Benet Becit, duke theksuar se ai nuk është emëruar nga vetë ai apo nga demokratët, por nga drejtues të Partisë Demokratike në të shkuarën. “Siç e dini, Benet Beci nuk është një emërim i imi apo i juaji, por i emëruar nga drejtues të PD-së,” tha ai, duke shtuar se kjo çështje po ngrihet në çdo qytet si shembull i gabimeve të bëra ndër vite.
Sipas Salianjit, gjendja aktuale e Partisë Demokratike është pasojë e emërimeve të padrejta dhe mungesës së promovimit të strukturave që kanë sakrifikuar për partinë. Ai kritikoi ashpër emërimet me lidhje nepotike, duke përmendur rastin e Benet Becit, i cili, sipas tij, nga drejtues në PD përfundoi si kryebashkiak i Partisë Socialiste.
