Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka zhvilluar takimin e paralajmëruar me demokratët në qytetin e Shkodrës, ku ka folur për situatën brenda partisë, pas deklaratave të lidershipit që pretendon se ai është vetëpërjashtuar nga PD-ja për shkak të takimeve që ka zhvilluar.
Gjatë fjalës së tij, Salianji u shpreh se Partia Demokratike duhet të reflektojë dhe të përgatitet për të rrëzuar qeverinë aktuale. “Sot duhet të jemi të sinqertë edhe me veten. PD duhet të reflektojë për të rrëzuar Ramën. Shqipëria nuk ndryshon duke kthyer politika të vjetra, figura të konsumuara dhe mentalitete që i kanë zhgënjyer qytetarët vite më parë,” tha ai.
Salianji theksoi se e vjetra ka dështuar sepse ka folur shumë dhe ka vepruar pak, duke u mbyllur në interesa të ngushta. Ai solli si shembull situatën aktuale në PD, duke e lidhur me reagimin e lidershipit demokrat në lidhje me takimet e tij.
“PD ka një statut dhe nuk ka asnjë rast të përjashtimit të dikujt nga partia. Por për shkak se disa zyrtarë dhe punonjës të PD nuk duan që funksionet që kanë të mbahen me punë, ata shpikin marifete dhe termat që nuk ekzistojnë,” tha Salianji.
Ai e quajti këtë situatë si “vetëpërfshirje dhe vetë-aktivizim” dhe nënvizoi se qëllimi i tij është përballja dhe ndryshimi i PD-së. “Ne do ja dalim deri në fund ta ndryshojmë PD. Kjo politikë ka ndryshuar sepse ka harruar se politika është shërbim dhe jo pronë. Ne jemi këtu jo vetëm për PD, por për shtetin e së drejtës dhe politikën e së drejtës,” përfundoi ai.
