Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij para mbështetësve të Foltores demokrate në qytetin e Korçës, sulmoi zëvendëskryeministren Belinda Balluku, duke e akuzuar se ka kaluar nga një punëtore e thjeshtë në Greqi si babysiter, në një milionere duke shfrytëzuar pasuritë publike dhe duke vjedhur taksat e shqiptarëve.

Berisha përmendi pasuritë e ministres, e cila aktualisht është nën akuzë dhe pandehur nga SPAK dhe GJKKO, ku është vendosur edhe masa e sigurisë. Ai përmendi 300 apartamente, dy jahtet dhe 15 supermarketet, si pasuri që Balluku ka fituar gjatë periudhës në qeverisje.

Kreu i PD-së deklaroi se Rama dhe Balluku “i kanë ditët e numëruara”, duke theksuar se në qeverisjen e PD nuk i bëhej rezistencë Prokurorisë dhe ish-kryeprokurores Ina Rama, të cilën e quajti “armike e betuar”, ndërkohë që deputetëve u hiqej imuniteti sipas kërkesës së drejtësisë.

“300 apartamente, e shikoni ju. Lubia që mezi siguronte bukën në rrugët e Athinës si babysitter, tani u vjedh shqiptarëve 300 apartamente. Dhe si, na ndërtoje ti këtë rrugë dhe do m’i kthesh në apartamente. Me dy jahte, me 15 supermarkete.

Ai tani na thotë ne nuk ia heq imunitetin, gjykata s’ka ç’i bën, jo po ligji. Një sjellje e tillë nuk ka ndodhur kurrë. Imagjinoni në qeverisjen tonë, e kishim armike prokuroren, Ina Ramën, por s’na shkonte kurrë në mendje që të mos hiqnim imunitetin e deputetit të PD, kurrë, edhe pse ishte armike e egër.

Ndodhi me Ilir Metën, edhe pse ia montuan regjistrimit, po, unë kisha shkresën. Ai dha dorëheqjen. Ajo ishte ndryshe, biznesmeni i thoshte se kishte humbur 700 mijë euro, Rama me atë tjetrin ia montuan sikur i kërkonte Meta ato 700 mijë euro. Por ai dha dorëheqjen, ai tha se do e faktoj si qytetar i thjeshtë, do shkoj në prokurori. Kurse ky thotë jam kryeministër, do vjedh siç kam vjedhur. Absolutisht do e përmbysim, siç përmbysëm shtatoren e Enver Hoxhës”, u shpreh Berisha.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: