Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Lisandër Hoxha, në një postim në Facebook, paralajmëroi se korrupsioni politik nuk është thjesht një plagë e sistemit, por mekanizmi që ka kthyer të keqen në normalitet. Ai theksoi se shqiptarëve për vite me radhë u është kërkuar durim në emër të tranzicionit, por sot është e qartë se ky tranzicion nuk po mbyllet sepse u përmbush, por për shkak të një mashtrimi që ka arritur kufirin e vet.
Hoxha nënvizoi rrezikun që politika e kapur nga krimi dhe korrupsioni paraqet jo vetëm për brendësinë e vendit, por edhe për pozicionin strategjik të Shqipërisë në rajon. Ai theksoi se pastrimi i politikës nuk është zgjedhje, por domosdoshmëri, pavarësisht frikës që shkakton te ata që kanë përfituar prej saj.
“Pazaret, presionet dhe vonesat nuk janë zgjidhje. Janë refleks i frikës, përpjekje për të fituar kohë, por sistemi fillon të shembet kur dëshmitë përplasen dhe mohimi nis nga brenda zinxhirit,” shkroi Hoxha, duke paralajmëruar se llogaridhënia nuk do të jetë më simbolike, por e fortë dhe e pashmangshme.
Ai theksoi se një qeveri antikorrupsion nuk është slogan, por zgjidhja e vetme reale. Pa çrrënjosur paratë e krimit dhe korrupsionit politik, sipas tij, zgjedhjet e lira mbeten iluzion dhe zhvillimi një mashtrim, ndërsa miliarda euro të përqendruara në duar të pakta deformojnë vullnetin e qytetarëve dhe mbajnë peng demokracinë.
Hoxha përfundoi duke paralajmëruar se “lemshi i korrupsionit, krimit dhe politikës po shkon drejt fundit të vet” dhe ky është çasti i përgjegjësisë historike, jo për të shtyrë agoninë, por për ta mbyllur një herë e mirë.
