Në Kosovë zhvillohen sot zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Procesi i votimit ka nisur në orën 07:00 dhe do të përfundojë në orën 19:00.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lista e votuesve në këto zgjedhje përmban rreth 2.076.290 votues të regjistruar. Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotimet në Kosovë është 1.999.205 votues, ndërkaq, numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 77.085 votues.

KQZ-ja ka përgatitur 948 qendra votimi në vend dhe pikat e votimit në mbi 20 vende jashtë Kosovës, përfshirë ambasada dhe konsullata, për t’i lehtësuar votuesit jashtë vendit qasjen te procesi zgjedhor.

Për zgjedhjet e jashtëzakonshme janë certifikuar gjithsej 24 subjekte politike, përfshirë 18 parti politike, tri koalicione parazgjedhore, dy iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur.

Kuvendi i Kosovës përbëhet nga 120 vende, prej të cilave 61 mandate sigurojnë shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë.

Gara për postin e kryeministrit përfshin Albin Kurtin nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Bedri Hamzën nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lumir Abdixhikun nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), si dhe Ramush Haradinajn.

Një ditë më parë, të drejtën e votës e ushtroi diaspora, ku sipas të dhënave, pjesëmarrja arriti në 81%.

Sot ka votuar edhe Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, i cili e hodhi votën e tij në Pejë. Pas votimit, Radoniqi u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në procesin zgjedhor dhe ta ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb