Rusia mbetet kategorikisht kundër pavarësisë së Tajvanit, të cilin e konsideron pjesë integrale të territorit kinez. Kështu deklaroi sot Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në një prononcim për agjencinë ruse të lajmeve TASS.
Sipas Lavrovit, qëndrimi i Moskës për çështjen e Tajvanit është i qartë dhe i pandryshueshëm. “Rusia e njeh Tajvanin si një pjesë integrale të Kinës dhe kundërshton çdo formë pavarësie për ishullin. Ky qëndrim është konfirmuar vazhdimisht në nivelin më të lartë”, theksoi ai.
Në të njëjtën kohë, kryediplomati rus i dërgoi një mesazh Japonisë, duke e ftuar atë të rishqyrtojë politikën e saj militariste. Lavrov argumentoi se veprimet e Tokios në këtë drejtim kanë një ndikim negativ në stabilitetin dhe sigurinë rajonale.
Duke iu referuar zhvillimeve në Rripin e Gazës, Lavrov deklaroi se situata në enklavën palestineze mbetet e pasigurt dhe se është ende herët për të folur për një paqe të qëndrueshme. Ai vuri në dukje raportimet e shpeshta për shkelje të armëpushimit të rënë dakord, si dhe vështirësitë dhe kufizimet në hyrjen dhe shpërndarjen e ndihmës humanitare në zonë.
