Mungesa e gjyqtarëve në sistemin e drejtësisë vijon të mbetet shqetësimi kryesor. Sipas kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushit, sot sistemi funksionon me 110 gjyqtarë më pak.

“Mungesa e gjyqtarëve është problemi themelor i sistemit të drejtësisë. Aktualisht janë 307 gjyqtarë efektivë në detyrë, përballë 417 të parashikuar nga struktura organizative, çka do të thotë se sistemi funksionon me vetëm 73.6% të kapacitetit të tij, ose me 110 gjyqtarë më pak. Kjo situatë bëhet edhe më shqetësuese nëse merret parasysh se deri në vitin 2028 nga Shkolla e Magjistraturës parashikohet të dalin jo më shumë se 67 gjyqtarë të rinj”, theksoi ai.

Reforma në drejtësi duhet të zbatohet me sa më pak dëme, tha Sadushi.  Pjesa më kritike, shtoi ai, mbeten afatet e gjykimit të çështjes si edhe administrimi i sistemit. Teksa bëri bilancin e punës për vitin 2025, Sadushi u ndal edhe tek rekurset, të cilat në shumë raste refuzohen. Më të pasuksesshmet sipas tij janë ato me palë shteti.

“Vijon të mbetet problem serioz cilësia e dobët rekurseve. Nuk e kanë kaluar testin e pranueshmërisë 60% e rekurseve në Kolegjin Civil, 71% në Kolegjin Administrativ dhe 82% në Kolegjin Penal.

Rekursi është shumë i standardizuar, nuk mund të vijë çdo çështje në Gjykatën e Lartë, nuk mund të kërkohet çdo pretendim në Gjykatën e Lartë.

Administrata publike ka një numër të lartë të çështjeve në raport me individin. Pra rekurset me më shumë mossukses vihen re rekurset me palë shteti”, tha ai.

Duke sjellë në vëmendje vrasjen në sallën e gjyqit të gjyqtarit të Apeli Astrit Kalaja, Sadushi tha se duhen masa më të shtuara për sigurinë e tyre.

I pyetur për Reformën në Drejtësi, kryetari i Gjykatës së Lartë tha se reforma duhet të zbatohet me sa më pak dëme, por pavarësisht kritikave, Sadushi u shpreh optimist se reforma po ecën.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb