Zgjedhjet e djeshme në Kosovë, ku Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri Albin Kurti dolën fitues, kanë qenë në fokus të analizave politike në studion e News24.

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Marlind Laçi u shpreh se fitorja e Vetëvendosjes ishte e parashikueshme, për sa kohë objektivat kryesore të Kosovës mbeten shtetformimi dhe ruajtja e shtetit. Sipas tij, qeveria Kurti arriti të shtrijë pushtetin dhe juridiksionin shtetëror në të gjithë territorin e vendit, duke forcuar funksionimin e institucioneve.

Laçi theksoi se qytetarët e Kosovës e vlerësuan këtë qasje, duke i dhënë qeverisë Kurti një votëbesim të qartë me 56 deputetë. Ai nënvizoi gjithashtu marrëdhënien e konceptit të kombit shqiptar me demokracinë, duke e cilësuar procesin zgjedhor në Kosovë si të rregullt, të paintimiduar dhe pa akuza për manipulim të votës.

Nga ana tjetër, analisti Korab Blakaj theksoi se rezultati i zgjedhjeve është produkt i disa faktorëve të kombinuar. Një ndër më të rëndësishmit, sipas tij, ka qenë politika e ndjekur nga Kurti në veri të Kosovës, një zonë që më herët ishte lënë në jofunksionalitet dhe nën ndikimin e bandave dhe grupeve terroriste serbe.

Blakaj vuri në dukje edhe rolin e opozitës, e cila sipas tij zgjodhi të ndërtojë një opozitë që kundërshtonte arritjet substanciale për shtetin e Kosovës, duke mos arritur të bindë elektoratin. Ai shtoi se një faktor i rëndësishëm ishte edhe figura personale e Albin Kurtit, e perceptuar nga qytetarët si e pastër dhe larg korrupsionit.

Sipas Blakajt, fitorja e Vetëvendosjes është ndihmuar gjithashtu nga situata gjeopolitike dhe nga bllokada e aktorëve opozitarë, të cilët nuk arritën të krijojnë një alternativë bindëse përballë qeverisjes aktuale.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb