Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar përmes një postimi në Facebook ndaj deklaratës së kryeministrit Edi Rama, i cili fajësoi tubacionet e vitit 2009 për defektin në ujësjellësin e Vlorës.
Në reagimin e tij, Këlliçi e cilëson deklaratën e Ramës si “përtej qesharakes”, duke theksuar se përgjegjësia për gjendjen e infrastrukturës bie mbi qeverisjen aktuale, e cila sipas tij menaxhon buxhetin e vendit prej 13 vitesh dhe ka nën administrim edhe Bashkinë e Vlorës.
“Rrënuesi i infrastrukturës së Shqipërisë paska gjetur fajtor tubat e Partisë Demokratike”, shkruan Këlliçi, duke shtuar se sa herë mazhoranca ndodhet përballë një situate të vështirë apo kapet në flagrancë, sipas tij, fajin e ka gjithmonë opozita dhe ish-kryeministri Sali Berisha.
Deputeti demokrat nënvizon se vetë deklarata e Ramës pranon indirekt neglizhencën ndaj komunitetit, pasi sipas tij, pranohet se në atë zonë nuk është investuar që prej vitit 2009. Këlliçi thekson se kjo tregon harresën shumëvjeçare ndaj qytetarëve të Vlorës.
Sipas tij, e vetmja gjë pozitive në këtë situatë është fakti që protesta qytetare arriti të alarmojë qeverinë dhe të sjellë reagim nga niveli më i lartë i pushtetit. “Qytetarët e bashkuar fitojnë”, përfundon reagimin e tij deputeti i PD-së.
