Kuvendi i është përgjigjur zyrtarisht deputetëve të Partisë Demokratike, pas kërkesës së tyre për caktimin e datës së mbledhjes së dytë të Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, me qëllim shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin e zëvendëskryeministres dhe ministers së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Në shkresën zyrtare, firmosur nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, thuhet se kërkesa e 5 deputetëve demokratë që janë pjesë e Këshillit të Mandateve nuk pranohet pasi ende nuk është ezauruar koha e nevojshme që i duhet palës mbrojtëse, pra Ballukut, të njihet me aktet dhe dhe provat e paraqitura nga SPAK në Kuvend, dhe të përgatisë mbrojtjen e saj para ligjvënësve.
“Kuvendi duhet të presë edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka vendosur të marrë në shqyrtim ankimin e kryeministrit Edi Rama për një përplasje kompetencash së krijuar nga akti i GJKKO-së për pezullimin e Ballukut nga detyra”, thuhet në shkresën drejtuar deputetëve të PD.
Zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, me vendim të Gjykatës Kushtetuese u rikthye në detyrë më 12 dhjetor. Me shumicë votash, u vendos pezullimi i vendimit të GJKKO-së i datës 20 nëntor për pezullimin nga detyra, duke lënë në fuqi vetëm ndalimin e daljes së saj jashtë shtetit.
Gjykata ka vendosur të marrë në shqyrtim ankimin e kryeministrit Rama për një përplasje kompetencash së krijuar nga akti i GJKKO-së për pezullimin e Ballukut nga detyra, pasi u mor e pandehur për shkeljet me tenderin e Tunelit të Llogarasë, si edhe po hetohet për shkelje në 10 tenderë të tjerë, përfshirë ato për 7 lotet e Unazës së Madhe.
Pas rikthimit në detyrë, Prokuroria e Posaçme iu drejtua Kuvendit me një kërkesë për heqjen e imunitetit dhe autorizimin për arrestimin e Ballukut. Mbledhja e parë e Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve u zhvillua më 19 dhjetor, me pjesëmarrjen e 10 deputetëve, ( 5 nga PD dhe 5 nga PS) dhe nën prezencën e 3 prokurorëve të posaçëm, drejtuesit të ri të SPAK Klodian Braho dhe dy prokurorëve të çështjes Dritan Prençi dhe Dorina Bejko.
Diskutimet u rrotulluan rreth USB-së me mbi 10 mijë faqe prova kundër Ballukut e dorëzuar nga SPAK ku argumentohet kërkesa e depozituar. Kjo USB iu shpërnda të gjithë anëtarëve, ndërsa palët nuk ranë dakord për caktimin e një date fikse për mbledhjen e ardhshme pas njohjes me provat konkrete. Anëtarët e PD kërkuan që mbledhja të mbahej brenda 5 ditëve të javës së ardhshme, ndërsa pas 20 minutave pushim, drejtuesi i Këshillit të Mandateve, Niko Peleshi nuk dha një datë për thirrjen e seancës së radhës.
