Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ka nisur një fushatë në terren për mbledhjen e firmave të qytetarëve në mbrojtje të drejtësisë dhe kundër korrupsionit, duke u bërë thirrje shqiptarëve të zgjedhin qartë se në cilën anë qëndrojnë.
Në një video të publikuar nga terreni, Shehaj shpjegon se qëllimi i kësaj fushate është mbështetja e institucioneve të drejtësisë në momentin kur politikanë të nivelit të lartë po dalin për herë të parë para hetimit dhe gjykimit.
“100 mijë firma në mbështetje të drejtësisë dhe kundër korrupsionit! Jemi në Tiranë dhe po shkojmë në gjithë Shqipërinë për të mbledhur firmat tuaja! Koha të zgjedhim tani çfarë do të bëjmë me të ardhmen tonë” – njofton Agron Shehaj.
“Po kërkojmë mbështetjen e qytetarëve në luftën kundër korrupsionit. Po i kërkojmë qytetarëve shqiptarë që të zgjedhin me kë janë, më drejtësinë? Apo janë me Belinda Ballukun që ka vjedhur qytetarët shqiptarë, me Erion Veliajn? Duam që Edi Rama të dalë para drejtësisë, të hetohet, të mos e pengojë drejtësinë. Këtë po bëjmë” – deklaron Shehaj mes të tjerash.
