Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi mbrëmjen e djeshme se Shtetet e Bashkuara kanë shkatërruar një skelë në Venezuelë, e cila sipas Uashingtonit përdorej nga anije të përfshira në trafikun e drogës. Deklarata sinjalizon atë që mund të jetë sulmi i parë tokësor amerikan në Venezuelë që nga nisja e fushatës ushtarake kundër trafikut të drogës në shtator. SHBA-të kanë përshkallëzuar presionin ndaj Karakasit gjatë muajve të fundit, me synimin për të larguar nga pushteti presidentin venezuelian Nicolas Maduro, të cilin administrata amerikane e akuzon se qëndron në krye të një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës. Që nga shtatori, forcat amerikane kanë goditur dhjetëra anije të dyshuara si të përfshira në këto aktivitete, duke raportuar të paktën 107 të vrarë në Paqësor dhe Karaibe. Vetëm dje, Uashingtoni njoftoi një tjetër sulm në ujërat ndërkombëtare të Paqësorit lindor, ku u vranë dy persona të cilësuar si “narko-terroristë”.

Megjithatë, deri më tani, qeveria amerikane nuk ka publikuar prova që të konfirmojnë se objektivat e goditura ishin realisht të përfshira në trafik droge. Ligjshmëria e këtyre operacioneve është vënë në pikëpyetje nga grupe opozitare, ekspertë ndërkombëtarë dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara. Duke folur për gazetarët në rezidencën e tij Mar-a-Lago, ku priti kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, Trump tha se “pati një shpërthim të madh në një zonë bregdetare ku ndodhej një skelë ku ngarkoheshin anijet me drogë”, duke shtuar se objekti “nuk ekziston më”. Ai nuk dha detaje se kur, si dhe nga cila agjenci u krye sulmi. I pyetur nëse bëhej fjalë për një operacion të CIA-s, Trump u përgjigj se nuk dëshironte të jepte më shumë informacion.

Sipas një raportimi të CNN, sulmi dyshohet se është kryer këtë muaj me dron nga CIA në një zonë të largët bregdetare në Venezuelë. As Pentagoni dhe as Shtëpia e Bardhë nuk i kanë konfirmuar zyrtarisht deklaratat e presidentit, ndërsa qeveria venezueliane nuk ka bërë ende ndonjë njoftim për një sulm të tillë.

Ndërkohë, Uashingtoni ka dërguar forca ajrore dhe mijëra marinsa në Karaibe, si dhe ka shpallur një bllokadë ndaj Venezuelës, duke synuar anijet cisternë të naftës nën sanksione ndërkombëtare. Presidenti Nicolas Maduro i ka hedhur poshtë akuzat e SHBA-së, duke pretenduar se Uashingtoni synon rrëzimin e tij për të përvetësuar rezervat e mëdha të naftës së Venezuelës, të konsideruara më të mëdhatë e konfirmuara në botë dhe burimi kryesor i të ardhurave të vendit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb