Kryeministri Edi Rama në konferencën e fundit për këtë vit me gazetarët u ndal gjerësisht te çështja Balluku, për të cilën SPAK kërkon arrestimin e saj. Ai tha se nuk ka asnjë provë kundër saj dhe zero dyshime.

“Probabiliteti që të shkosh në burg pa qenë i dënuar është më i madh se sa rasti kur dënohesh. Ai dokument i këshillit të Europës është alarm. Sensi i drejtësisë në fund të ditës është; më mirë 100 fajtorë jashtë se sa një i pafajshëm brenda. Jo kap e fut njerëz brenda dhe shohim nesër a jeni apo jo fajtorë. Ata kalojnë në këtë llahtar të pafajshëm. S’po flasim për ata që kalojnë në llahtarin e tenxhereve, por për njerëzit e zakonshëm. Çfarë provash ke ti? Dyshime? Nuk japim asnjë të dhënë. Zero, hiç. Pastaj vijmë te graviteti i veprës. Dua t’u jap përgjigje se sa e gënjeshtër, e ligë, është kjo tymnajë sipas së cilës; Shqipëria ka arritur kulimin e korrupsionit. Po i referohem institucioneve që merren me korrupsion. Korrupsioni është vepër më vete. Është e definuar. Jo çdo kush që hetohet dhe akuzohet nga prokuroria Speciale ka bërë korrupsion! Ka dhe vepra të tjera. Shpërdorimi i detyrës është një vepër që iu kthye dhe vetë BE sëfundmi. Është term ku futen thes i madh, me kollajllëkun më të madh. Jeton në një kulturë ku tenxheret hidhen me kapakë përpjetë; burg, burg, burg. BE iu kthye rishikimit të nocionit pas kërkesës së Gjermanisë. Kushtetuta thotë; janë tre pushtete të pavarur nga njëri-tjetri. Drejtësia është i pavarur nga ekzekutivi, dhe ekzekutiv është i pavarur nga drejtësia. Cila është pavarësia e një kryeministri? Pavarësia e marrjes së vendimeve. Nuk vjen dot një prokuror dhe të thotë; pse e vendose kështu! Dhe kjo gjë ka ndodhur. Nëse vendimi im ka një prapavijë të qëllimshme, për të përftuar në mënyrë të paligjshme apo për të sjellë një dëm, këtu nuk jam i pavarur. Këtu vjen drejtësia. Qysh nga fillimi i kapitullit të drejtësisë speciale, janë 37 raste. E dini ju se sa raste nga këto 37 që përfshin funksionarë të niveleve të ndryshme, i përkasin viteve të mandatit të parë apo dhe të dytë të kësaj qeverie apo mazhorance?! Janë 80%.”, tha Rama.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: