Kryeministri Edi Rama ka marrë në mbrojtje zv/kryeministren Belinda Balluku, duke deklaruar para gazetarëve se mesazhet e komunikimit mes saj dhe ish-drejtorit të ARRSH, Evis Berberi, nuk janë prova.
Rama tha gjithashtu se as pabarazia në tendera, për të cilën vartësja e tij u mor e pandehur nga SPAK, nuk mund të quhet rast korrupsioni, duke shtuar se edhe vetë BE por e ndryshon klasifikimin e kësaj vepre penale.
“Si mundet që ky vend të jetë ky dhe në të njëjtën kohë kur SIGMA nuk merret me sms. Në Shqipëri bëhen mijëra prokurime. Në Shqipëri bëhen mijëra, miliona ndërveprime. 37 raste për 12 vite ndërveprime. Ka lloj-lloj rastesh, që janë një numër i arsyeshëm për të goditur fenomenet. Deri tani kemi një numër të dënuarisht shumë të ulët në raport me rastet. Kemi procese të zvarritura dhe kemi Strasburgun kur ka evidentuar raste të rënda, të rasteve që kanë shkuar atje. Ndaj jo çdo gjë që mendohet, edhe nga dëshira e mirë, për të luftuar korrupsonin, shkon në atë drejtim. Ska të vërteta të tjera! E vërteta e drejtësisë demokratike. S’mund të bëhet drejtësia si puna e pleniumit dhe çorodit dynjanë me llafe”, tha Rama.
Është dënim skandaloz për një kryetar bashkie të Fushë Arrëzit, për prerje të pyllit, ai hapi një rrugë për komunitetin ku u prenë disa pemë. Ka bërë burg për prerje pemësh.
Jo se të presësh pemë nuk është krim, por rasti është turp, ka dhe raste të tjera që nuk kanë lidhje me korurpssionin dhe nuk dua ti komentoj.
Ka dhe raste të tjera që lidhen me pabarazinë në tendera. Është vepër penale por nuk është korrupsion. Ky vend sipas tenxhereve ka arritur kulmin e korrupsionit. Me të gjitha gjysëm të vërtetave të mundshme. Që kur mesazhet janë prova, qëkur janë ushqim për mediat mesazhet. Që kur mbi bazën e mesazheve bëhen gjyqet, patjetër që mesazhet dhe cdo gjë tjetër që lidhet me kush tha e cfarë tha janë pjesë e procesit. Për çfarë i duhet pafajësia kur i është shkatërruar totalisht jeta dhe familja, kush ja kthen atij njeriu mbrapsht jetën. Prandaj drejtësia demokratike ka vendosur kufij, nuk lejohen shumë nga ato gjëra që ndodhin këtu”, tha Rama.
Pjesë nga fjala e kryeministrit:
Edi Rama: Jo çdo kush që hetohet dhe akuzohet nga SPAK ka bërë korrupsion. Ka edhe vepra të tjera. Shpërdorimi i detyrës psh është një vepër të cilës ju kthye edhe vetë BE së fundmi. Kjo sepse është një term ku futen thesi i madh, me kollajllëkun më të madh sidomos kur jeton në një periudhë kur tenxheret hidhen përpjetë me gjithë kapakë, burg, burg… BE iu kthye me kërkesë të Gjermanisë, jo vetëm të Italisë që e kërkonte prej kohësh dhe ka dalë një direktivë e re për të riparë këtë nocion. Pse? Sepse Kushtetuta thotë janë tre pushtete të pavarura ngë njëri-tjetrin. Drejtësia është e pavarur nga ekzekutivi por edhe ekzekutivi është i pavarur nga drejtësia. Nuk vjen dot një prokuror të thotë pse ti e vendose kështu dhe nuk e vendose ashtu, kjo është një katastrofë, dhe kjo gjë ka ndodhur. Nëse vendimi im është një vendim i cili ka një prapavijë të qëllimshme, jo padashje, të qëllimshme për të përfituar në mënyrë të paligjshme apo për të sjellë një dëm në mënyrë të vetëdijshme këtu nuk jam i pavarur, këtu është pavarësia e drejtësisë që vjen tek unë.
Që nga fillimi i këtij kapitulli të drejtësisë speciale, janë 37 raste. E dini ju sa raste nga këto 37 që përfshin natyrisht funksionarë të niveleve të ndryshme, i përkasin viteve të mandatit të parë dhe të dytë të kësaj qeverie? Janë rreth 80%. Ne ndërkohë që vetëm një pjesë e vogël e tyre janë raste që lidhen me periudhën e mëpastajme. Për rastet për të cilat po flasim kemi nga të gjitha, kemi dënim për prerje pylli të një kryetari bashkie, është një dënim skandaloz, kryetari i bashkisë së Fushë Arrëzit ka hapur një rrugë për komunitetin ku janë prerë disa pemë. Ka bërë burg për prerje pemësh. Rasti është turp.
Pabarëzia në tender është një vepër tjetër, jo korrupsion, është vepër penale, po e përmbledhur ccfarë dua të them… Qëkur mesazhet janë prova? Dhe qëkur mesazhet janë ushqim për mediat? Dhe qëkur mbi bazën e mesazheve bëhen gjyqe si në kohën e gjuetive të shtrigave kur ngrihej turra e druve se ky i tha atij ashtu dhe ai i tha atij tjetrit ashtu? Qëkur? Patjetër që mesazhet dhe ccdo gjë tjetër që lidhet se kush tha dhe ccfarë tha patjetër që janë pjesë e një procesi, por parafytyroni vetëm kaq, çfarë ndodh dhe sa përgjegjësi ka secili nga pjesëmarrësit në këto gjyqet e shtrigave kur dikush të dalë i pafajshëm? Për çfarë i duhet pafajësia kur i është shkatërruar totalisht jeta dhe familja? Kush ia kthen mbrapsht jetën? Drejtësia demokratike ka vendosur kufij!
