Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka përcjellë një videomesazh për fundvitin, ku ka vlerësuar vitin që po mbyllet si një periudhë sfidash, por edhe arritjesh të rëndësishme për Shqipërinë.
Në mesazhin e saj, Spiropali theksoi se një nga sukseset më të mëdha të vitit ishte hapja me sukses e të gjithë grupkapitujve të negociatave me Bashkimin Evropian brenda vetëm 13 muajsh. Sipas saj, kjo është një dëshmi e qartë e vendosmërisë së Shqipërisë për t’u integruar në familjen evropiane.
“Shqipëria ecën sot më e vendosur drejt familjes evropiane. Sfida më e madhe vjen tani, ku shpejtësia e hapjes së grupkapitujve duhet të shoqërohet me të njëjtën shpejtësi në zbatimin e reformave,” u shpreh ministrja.
Spiropali theksoi gjithashtu se viti që po mbyllet do të mbahet mend si viti kur u miratua ligji për votën e diasporës, duke e cilësuar këtë një hap të rëndësishëm për përfshirjen e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit në proceset demokratike.
Ministrja e Jashtme e mbylli mesazhin me urimin për një vit të ri me më shumë progres dhe përmbushje të objektivave strategjikë të Shqipërisë.
