Koordinatori i programit ekonomik në PD, Dorjan Teliti ka reaguar lidhur me situatën ekonomike në vend, duke e cilësuar “rritjen ekonomike” të raportuar nga qeveria si një realitet vetëm në letër.
Duke iu referuar të dhënave zyrtare të INSTAT për tremujorin e tretë të vitit 2025, Teliti thekson se bujqësia dhe industria, dy shtyllat kryesore prodhuese të ekonomisë shqiptare, vijojnë të jenë në recesion për të tretin vit radhazi.
Ndërsa ekonomia reale, sipas tij, po tkurret me pasoja të drejtpërdrejta duke sjellë varfërim dhe emigracion.
“Kjo nuk është rritje ekonomike. Kjo është propagandë statistikash mbi një krizë reale 3-vjeçare të sektorëve që prodhojnë, punësojnë dhe mbajnë gjallë ekonominë. Pa bujqësi dhe pa industri, nuk ka zhvillim – ka vetëm varfërim dhe emigracion”, thekson Teliti.
Reagimi
RRITJE EKONOMIKE NË LETËR, RECESION NË TERREN!
Sipas INSTAT, në tremujorin e tretë 2025, dy shtyllat prodhuese të ekonomisë shqiptare janë sërish në recesion – për të tretin vit radhazi. Konkretisht “bujqësia” –1.73% dhe “industria” –4.75%.
Ndërkohë që qeveria krenohet me “rritje ekonomike”, prodhimi bie, fshati varfërohet, fabrikat falimentojnë apo ngadalësojnë prodhimin në rastin më të mirë dhe ekonomia reale tkurret.
Ironia? Ekonomia “rritet” pa bujqësi. Ekonomia “rritet” pa industri. Ekonomia “rritet” pa prodhim.
Kjo nuk është rritje ekonomike. Kjo është propagandë statistikash mbi një krizë reale 3-vjeçare të sektorëve që prodhojnë, punësojnë dhe mbajnë gjallë ekonominë.
Pa bujqësi dhe pa industri, nuk ka zhvillim – ka vetëm varfërim dhe emigracion.
