Një makinist treni ka humbur jetën dhe të paktën 40 persona janë plagosur pas një përplasjeje ballë për ballë mes dy trenave pranë Machu Picchu, atraksioni turistik më i njohur i Perusë. Aksidenti ndodhi të martën në shinën e vetme që të çon drejt qytetit të lashtë Inka, sipas autoriteteve lokale.
Në vendngjarje kanë mbërritur rreth 20 ambulanca, ndërsa të plagosurit janë transportuar drejt spitaleve dhe qendrave shëndetësore në qytetin fqinj të Cuscos. Sipas një zyrtari shëndetësor, të paktën 20 nga të plagosurit ndodhen në gjendje të rëndë. Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Peru njoftoi se mes të plagosurve ka edhe shtetas amerikanë, megjithatë policia nuk ka konfirmuar ende identitetin e personave të përfshirë. Media lokale raportojnë se qindra turistë mbetën për orë të tëra në vendngjarje, duke pritur evakuimin, i cili u vështirësua nga terreni i thyer malor.
Përplasja ndodhi në segmentin hekurudhor që lidh stacionin Ollantaytambo me Aguas Calientes, qytetin më të afërt me Machu Picchu. Udhëtimi në këtë linjë zgjat zakonisht rreth 90 minuta. Dy trenat e përfshirë në aksident operoheshin nga kompanitë PeruRail dhe Inca Rail. PeruRail shprehu keqardhje për ngjarjen, duke deklaruar se stafi i saj ofroi menjëherë ndihmën e parë për makinistin, drejtuesit e trenit dhe pasagjerët. Shkaku i aksidentit mbetet ende i paqartë dhe po hetohet nga autoritetet përkatëse.
Ngjarja ndodh në një kohë tensionesh mes operatorëve të transportit drejt Machu Picchu, për shkak të mosmarrëveshjeve mbi procesin e tenderimit dhe kostot e larta të biletave, të cilat janë kritikuar nga komunitetet lokale. Machu Picchu, i ndërtuar në shekullin e 15-të në Andet peruviane, është një nga Shtatë Mrekullitë Moderne të Botës dhe një sit i trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Për të mbrojtur zonën nga turizmi i tepërt, autoritetet kanë vendosur kufizime ditore për numrin e vizitorëve, megjithëse shqetësimet për mbingarkesën turistike vazhdojnë.
