Gazeta e madhe italiane, Corriere della Sera ka shkruar për fitoren e Albin Kurtit dhe partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare të së dielës.

Duhet të jesh i ashpër pa e humbur kurrë butësinë, thoshte idhulli i tij Che Guevara. Ai ia doli në antitezën e përkryer: duke mbetur i butë me shumicën e Kosovës, e cila ende i adhuron premtimet e tij populiste; duke u treguar jashtëzakonisht i ashpër në politikat antiserbe, që e irritojnë aq shumë BE-në dhe disi bezdisin edhe SHBA-në. Albin Kurti, 50 vjeç, kryeministri në detyrë që e quanin “Che”-ja i Ballkanit që kur ishte djalosh dhe kundërshtonte nacionalizmin e Jugosllavisë së fundit të Slobodan Millosheviqit, do të provojë sërish t’i japë një qeveri vendit më të ri, më të varfër dhe ndoshta më të paqëndrueshëm të Europës.

Partia e tij e majtë nacionaliste, Vetëvendosje (VV), sipas exit poll-eve fiton me 49,1%. Nuk duket se ka shumicën absolute për të qeverisur i vetëm, por siguron votat për ta tentuar një koalicion pothuajse të pamundur. Presidentja e re Vjosa Osmani, besnike e tij e flaktë dhe në përfundim mandati, është gati t’i japë mandatin e pashmangshëm.

“Che”-ja bëri gjithçka, gjatë dy javëve të një fushate elektorale të tërbuar, për ta çuar në shtëpi mandatin e tretë: premtoi 100 euro për çdo pensionist, 100 të tjera për familjet me fëmijë të vegjël, një muaj rrogë shtesë për nëpunësit publikë, një miliard investime, një prokurori të re antimafia…

Në votimin e katërt brenda dhjetë muajsh, në një krizë politike që zgjat nga shkurti, në një garë fundviti që i çoi në urna vetëm një zgjedhës nga tre, Kurti në fund ia doli dhe nuk kishte sondazhist që ta parashikonte të kundërtën, duke i konsideruar shumë të dobët kundërshtarët e PDK-së, trashëgimtarë të “partizanëve” të UÇK-së së luftës së pavarësisë (19,9%), dhe të LDK-së, nipër të “babait të atdheut” Ibrahim Rugova (14%).

Kur u zgjodh për herë të parë, në vitin 2021, Kurti rrëmbeu shumicën absolute. Por ai program i tij i “krenarisë kosovare” nuk pranonte aleatë dhe sot, edhe pse në kufijtë e 50 për qindëshit, askush nuk vë bast për një zgjidhje të lehtë të krizës. Prej muajsh, të gjithë refuzojnë të qeverisin me Kurtin.

I atribuojnë atij një papunësi prej 25%, me një kosovar nga pesë nën pragun e varfërisë dhe të rinjtë të detyruar të emigrojnë pa ndërprerje. Korrupsioni dhe kriminaliteti janë në nivele shumë të larta, drejtësia dhe shëndetësia mezi mbahen në këmbë, ndërkohë që po skadojnë kreditë e BE-së dhe Bankës Botërore.

Çështja më e mprehtë është megjithatë raporti me Serbinë. Donald Trump është mburrur se e ka “mbyllur” (edhe) këtë konflikt, por bisedimet e Kurtit me Beogradin janë të ndërprera që nga viti ’23 dhe mbi Kosovën — ku 900 ushtarët italianë mbeten kontingjenti më i madh i NATO-s — rëndojnë sanksionet europiane. Akuza e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kurtit është se ka rihapur përplasjen me serbët, me trupa të vendosura në kufij për herë të parë që nga viti ’99.

Nga “Che”-ja kërkohej moderim. Por shija për të provokuar është tepër e fortë. Shpërthimin e fundit e bëri miku i tij Prindon Sadriju, bashkëshorti i presidentes Osmani, duke folur për Trump Hotel-in e projektuar në Beograd. Disa orë para votimit, Prindoni e përsëriti. “I dashur Trump — tha —, po çfarë Serbie: pse nuk vjen ta ndërtosh hotelin tënd në Prishtinë?”. Më shumë se ashpërsia apo butësia, nevojitet pak më shumë shkathtësi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb