Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përmes një mesazhi u ka uruar qytetarëve Vitin e Ri.
Veliaj shkruan se, një urim dhe një përqafim i dërgon familjes së tij, me të cilën shkruan se “padrejtësisht nuk më është dhënë mundësia të jem sonte pranë”
Mesazhi i plotë
Të dashur qytetarë të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë,
Në prag të ndërrimit të viteve dua t’ju uroj shëndet, lumturi, suksese dhe një vit plot shpresë për ju dhe familjet tuaja.
Një urim zemre për të pamundurit, për të sëmurët, për ata që ndihen të braktisur, për familjet në vështirësi, për emigrantët që punojnë me djersë larg shtëpisë – ju uroj forcë dhe ngrohtësi këtë vit të ri.
Një falënderim i veçantë shkon për mjekët, infermierët dhe policët që shërbejnë pa pushim, për ushtarakët tanë kudo në botë që ruajnë paqen, dhe për punonjësit e bashkive dhe të tjerë që bëjnë çdo ditë të mundur që qytetet tona të ndriçojnë, jo vetëm me dritat festive, por me shpirtin e bashkëpunimit dhe solidaritetit.
Ky vit që po lëmë pas ka qenë sfidues për shumë njerëz, ndaj le t’i hapim derën njëri-tjetrit këtë festë, t’i ftojmë në tryezat tona ata që ndihen vetëm, t’i mbajmë pranë ata që kanë nevojë për një dorë ndihmëse dhe ta përqafojmë njëri-tjetrin me dashuri dhe besim për të ardhmen.
Jetoni me zemër të madhe, punoni me pasion dhe mbajini ëndrrat tuaja gjallë.
Dhe në fund, një urim dhe një përqafim për familjen time, me të cilën padrejtësisht nuk më është dhënë mundësia të jem sonte pranë.
Gëzuar 2026!
