Një shpërthim i rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së hënës në një bar në Crans-Montana, vendpushimi i njohur i skijimit në Zvicër, duke shkaktuar humbjen e jetës së të paktën 10 personave dhe plagosjen e rëndë të shumë të tjerëve.

Sipas raportimeve të Sky News, që citojnë burime nga policia lokale në kantonin Valais, mbi 10 persona janë plagosur, ndërsa autoritetet kanë bërë të ditur se ngjarja nuk po trajtohet si akt terrorist.

Shpërthimi ndodhi rreth orës 01:30 sipas kohës lokale në barin Le Constellation, i cili frekuentohet kryesisht nga turistët gjatë festimeve të Vitit të Ri. Pas shpërthimit, në objekt shpërtheu edhe një zjarr i madh, i cili u vu nën kontroll disa orë më vonë nga zjarrfikësit. Pamjet e publikuara nga mediat zvicerane tregojnë ndërtesën të përfshirë nga flakët.

Në vendngjarje u angazhuan ekipe të shumta shpëtimi, ambulanca dhe zjarrfikëse, ndërsa autoritetet vendosën edhe një ndalim të përkohshëm fluturimesh mbi zonë.

Sipas një zëdhënësi të policisë, mbi 100 persona ndodheshin brenda barit në momentin e shpërthimit. Transmetuesi publik zviceran RTS raportoi se shpërthimi ka ndodhur në bodrumin e objektit, ndërsa kapaciteti maksimal i barit ishte rreth 400 persona.

Gazeta zvicerane Blick sugjeron se zjarri mund të jetë shkaktuar nga fishekzjarrë të përdorur gjatë një koncerti, por policia nuk ka dhënë ende një deklaratë zyrtare mbi shkaqet e tragjedisë.

Hetimet janë në vijim. Crans-Montana është një vendpushim luksoz skijimi në Alpet Zvicerane, rreth dy orë larg Bernës. Sipas BBC-së, zona pritet të presë një garë të Kupës së Botës FIS në fund të muajit janar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: