Hapet sot pas disa ditësh, pika kufitare e Qafë Thanës, e cila u mbyll si pasojë e bllokimit të aksit “Qafë Thanë- Strugë” nga aksidenti i rëndë i datës 30 dhjetor, ku një autobot me gaz u rrëzua.

Sic njofton për BW, gazetarja e News24 Lorena Kodra, autoboti është hequr tashmë nga rruga.

Aksidenti ndodhi dy ditë më parë dhe pavarësisht përpjekjeve, është arritur të hiqet këtë pasdite ndërsa do të fillojë qarkullimi i mjeteve normalisht në këtë pikë kufitare.

Gjatë ditëve që dogana ishte e bllokuar, qarkullimi u drejtua në doganën e Tushemishtit dhe atë të Goricës.

Njoftimi

Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Korçë

Pika e Kalimit Kufitar Qafë Thanë

Nga kontakti i vazhdueshëm me autoritetet e policisë kufitare të Maqedonisë së Veriut, jemi njoftuar se, aksi rrugor “Strugë-Qafë Thanë”, i cili ishte i bllokuar që në datën 30.12.2025, për shkak të një aksidenti rrugor, aktualisht është zhbllokuar.

Lëvizja e mjeteve dhe e shtetasve, po kryhet lirisht si në hyrje dhe në dalje të Republikës së Shqipërisë, duke respektuar procedurat e verifikimit kufitar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb