Burgu i Bruklinit ku po mbahet presidenti venezuelian Nicolas Maduro konsiderohet një nga institucionet më problematike të sistemit federal amerikan të paraburgimit, aq sa disa gjyqtarë kanë refuzuar ndër vite të dërgojnë të pandehur atje. Megjithatë, në këtë strukturë janë mbajtur edhe të burgosur të profilit të lartë, përfshirë yjet e muzikës R. Kelly dhe Sean “Diddy” Combs.
Qendra Metropolitan e Paraburgimit, e njohur si MDC Brooklyn, u hap në fillim të viteve 1990 dhe aktualisht strehon rreth 1,300 të burgosur. Ajo shërben si qendra kryesore e paraburgimit për të pandehurit që presin gjyqin në gjykatat federale të Manhattanit dhe Bruklinit, ku gangsterë dhe trafikantë droge mbahen në të njëjtat ambiente me persona të akuzuar për krime financiare.
Të shtunën në mbrëmje, një turmë venezuelianësh, shumë prej tyre të mbështjellë me flamuj kombëtarë, u mblodhën jashtë burgut për të festuar kapjen e Maduros. Turma brohoriti ndërsa autokolona e policisë që transportonte udhëheqësin e rrëzuar dhe bashkëshorten e tij mbërriti në ambientet e burgut. Maduro nuk është presidenti i parë që mbahet në MDC Brooklyn. Ish-presidenti i Hondurasit, Juan Orlando Hernandez, u paraburgos aty gjatë gjyqit për trafikimin e qindra tonëve kokainë drejt SHBA-së. Ai u dënua me 45 vjet burg, por u fal dhe u lirua nga presidenti Donald Trump në dhjetor.
Ndër të burgosurit aktualë të MDC Brooklyn janë edhe bashkëthemeluesi i kartelit meksikan të drogës Sinaloa, Ismael “El Mayo” Zambada Garcia, si dhe Luigi Mangione, i akuzuar për vrasjen e drejtorit ekzekutiv të UnitedHealthcare. Ish-të burgosur të njohur përfshijnë manjatin e kriptomonedhave Sam Bankman-Fried dhe Ghislaine Maxwell, bashkëpunëtore e ngushtë e Jeffrey Epstein.
I ndodhur pranë ujërave të Bruklinit, jo larg Statujës së Lirisë dhe pranë një zone industriale me qendra tregtare, burgu është përshkruar nga të burgosur dhe avokatë si “ferr në tokë” dhe një “tragjedi e vazhdueshme”. Ankesa të shumta janë ngritur për dhunë të përhapur, kushte të këqija dhe korrupsion. Në vitin 2024, dy të burgosur u vranë nga të burgosur të tjerë, ndërsa punonjës të burgut janë akuzuar për ryshfet dhe kontrabandë. Në dimrin e vitit 2019, një ndërprerje e energjisë elektrike la institucionin pa drita dhe ngrohje për gati një javë.
Kohët e fundit, Byroja Federale e Burgjeve ka deklaruar se po ndërmerr masa për përmirësimin e kushteve. Autoritetet kanë shtuar personelin korrektues dhe mjekësor, kanë trajtuar mbi 700 kërkesa të prapambetura për mirëmbajtje dhe kanë bërë përmirësime në sistemet elektrike, hidraulike, ushqimore, si dhe në ngrohje dhe ajër të kondicionuar.
Paralelisht, autoritetet federale kanë intensifikuar përpjekjet për të luftuar krimin brenda burgut. Në mars të vitit të kaluar, 23 të burgosur u akuzuan për vepra penale që varionin nga kontrabanda e armëve deri te sulme me thikë. Byroja e Burgjeve deklaroi në shtator se MDC Brooklyn është i sigurt për të burgosurit dhe stafin, duke shtuar se ulja e popullsisë nga 1,580 në janar 2024 ka çuar në një rënie të ndjeshme të krimit dhe kontrabandës.
Brenda burgut, Maduro mund të përballet me figura të njohura nga Venezuela, nëse i lejohet të dalë nga izolimi fillestar. Mes tyre është Hugo Carvajal, ish-kreu i shërbimeve të inteligjencës venezueliane, i cili u largua nga regjimi i Maduros në vitin 2019 dhe ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me autoritetet amerikane. Një tjetër i burgosur është Anderson Zambrano-Pacheco, i dyshuar si anëtar i bandës venezueliane Tren de Aragua, i arrestuar në Nju Jork vitin e kaluar për akuza për armëmbajtje pa leje. Ai ishte përfshirë në një incident të regjistruar nga kamerat e sigurisë në një kompleks banimi pranë Denverit, një rast që u shfrytëzua politikisht nga Donald Trump gjatë fushatës së tij. MDC Brooklyn ndodhet nën vëzhgim të shtuar që prej vitit 2021, kur Byroja e Burgjeve mbylli Qendrën Korrektuese Metropolitan të Manhatanit pas vdekjes së Jeffrey Epstein, një ngjarje që nxori në pah dështime serioze në siguri, infrastrukturë dhe kushte paraburgimi në sistemin federal.
🚨 BREAKING | These are the first images of Nicolás Maduro in the US after his arrest by the DEA pic.twitter.com/gLMixT8K3j
— VOZ (@Voz_US) January 4, 2026
