Propozimi i Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, për ngritjen e një Njësie të re Inteligjence pranë Sekretariatit të Përgjithshëm të Komisionit është një sinjal serioz për fazën e re ku po hyn Bashkimi Europian. BE po kalon në fazën e maturimit strategjik. Europa po kërkon të parandalojë goditjen e radhës.
Pyetja që shtrohet është, se si mund të ndërtohet ky shërbim informativ pa cenuar sovranitetin e shteteve anëtare?! Bazuar në përvojat e strukturuara të vendeve kryesore europiane, arkitektura aktuale e inteligjencës në BE nuk është më e përshtatshme për rreziqet e shekullit XXI. Nga ana tjetër, BE nuk vuan nga mungesa e informacionit, por nga mungesa e kohezionit.
Europa prodhon shumë informacion, por shumë pak strategji. Ka shumë agjenci dhe shumë protokolle. Ka pak centralizim, pak standardizim dhe pak përgjegjshmëri.
Sistemi aktual përbëhet nga INTCEN, Europol, ENISA dhe strukturat e mbrojtjes kibernetike. Njëzetë e shtatë shërbimet kombëtare kanë kultura, prioritete dhe kufizime të ndryshme. Sistemi nuk funksionon si një arkitekturë e integruar strategjike.
Në kushtet e sotme gjeopolitike, ndryshimi është domosdoshmëri. Lufta në Ukrainë e ka shkatërruar iluzionin e sigurisë europiane. Rreziku i një tërheqjeje të pjesshme amerikane nga mbrojtja europiane po e çon BE-në drejt autonomisë strategjike. Kërcënimet hibride, nga ndërhyrjet kibernetike deri te operacionet e influencimit, nuk i respektojnë kufijtë kombëtarë. Ato nuk i përshtaten as modelit tradicional të inteligjencës së decentralizuar.
Duhet të qartësojmë se propozimi nuk bën fjalë për krijimin e një shërbimi informativ klasik, pra një “CIA europiane”. Nuk flitet për një strukturë operative që mund të përplaset me shërbimet kombëtare. Flitet për një qendër të nivelit strategjik.
Megjithatë, një sistem inteligjence ka nevojë për një mekanizëm të posaçëm për mbikëqyrjen. Ai duhet që të jetë i ngjashëm me komisionet parlamentare kombëtare. Ky mekanizëm është i domosdoshëm, sepse siguron legjitimitet demokratik, garanton proporcionalitetit dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Njëkohësisht, ai parandalon abuzimet politike. Pa këto element çdo reformë e inteligjencës europiane do të ngjall dyshim të madh në opinionin publik.
BE duhet të zgjedhë mes copëzimit apo fuqisë. Debati rreth krijimit të një shërbimi inteligjent europian është një çështje politike madhore. Ai lidhet me pyetjen ekzistenciale, nëse BE dëshiron që të jetë thjesht një treg apo një fuqi?!
Nëse Europa synon autonomi strategjike të vërtetë, ajo ka nevojë për një qendër komande të përbashkët. Pa analizë të integruar, nuk ka parandalim. Pa parandalim, nuk ka siguri. Kompetencat e ndara e bëjnë Bashkimin Europian të dobët. Jo sepse shtetet anëtare janë të vogla, por sepse ato nuk mendojnë së bashku si një organizëm unik.
Njësia e propozuar është një hap i parë i drejtë, por jo i mjaftueshëm. BE-së i duhet një arkitekturë strategjike e unifikuar. Një mekanizëm mbikëqyrës i pavarur dhe një kulturë e re inteligjence. Siguria duhet parë si një përgjegjësi e përbashkët, jo si një monopol kombëtar.
Në epokën e rreziqeve të përditshme, Europa nuk mund të lejojë më luksin e moskoordinimit. Nëse kontinenti dëshiron të mbijetojë politikisht dhe strategjikisht, ai duhet që të mendojë si një trup i vetëm. Dhe inteligjenca është vendi nga ku ky transformim duhet të fillojë.
Njësia e inteligjencës në Komision paraqitet si zgjidhje ndaj rreziqeve hibride, infiltrimeve ruse, presionit kinez dhe mungesës së paralajmërimit strategjik. Por realiteti tregon se, problemi i BE-së nuk është mungesa e strukturave. Është mungesa e besimit dhe integrimit. Që njësia e re e inteligjencës të mos jetë një fasadë, duhet një ndryshim konceptual.
Europa ka INTCEN. Ka EUMS INT. Pra, ka mekanizma. Ajo që mungon është një analizë e unifikuar. Mungon një kulturë strategjike dhe një ambient ku shtetet ti besojnë mjaftueshëm njeri-tjetrit për të ndarë inteligjencë me peshë. BE nuk vuan nga boshllëku institucional, por nga boshllëku analitik. BE vuan nga fragmentimi, jo nga mungesa e strukturave.
INTCEN dhe EUMS INT funksionojnë si dy botë paralele. Kanë dy lidershipe dhe dy cikle prodhimi. Të dyja kanë ekspertizë, por asnjëra nuk ka autoritetin e duhur për të prodhuar një pamje të unifikuar strategjike të Europës. Në fakt, Europa ka inteligjencë. Ajo që mungon është sinteza.
Zgjidhja e propozuar duket se diagnostikon simptomat, por nuk shëron sëmundjen. BE nuk ka integrim analitik. Nuk ka kulturë të përdorimit të inteligjencës në vendimmarrje. Nuk ka peshë politike dhe mekanizmat për t’i detyruar shtetet që të ndajnë të dhëna thelbësore. Nuk ka garanci se informacioni i ndarë nuk do të përdoret politikisht. Dhe mungon ritmi strategjik për ta përfshirë inteligjencën në politik-bërje.
Inteligjenca është zemra e sovranitetit kombëtar. Nuk ndahet lehtë. Nuk centralizohet shpejt. Në fushat ku BE ka më shumë nevojë për informacion si, energjia, ekonomia, politika e brendshme dhe rreziqet hibride, shtetet anëtare janë më pak të gatshme ta ndajnë atë.Asnjë logo e re në Bruksel nuk mund ta ndryshoj lehtësisht këtë psikologji.
BE-ja ngriu së fundmi 247 miliardë dollarë asete ruse. Ky vendim ka hapur rrugën për një hua gati 200 miliardë dollarëshe për Ukrainën. Kjo garanton financim shumëvjeçar të Ukrainës, pavarësisht mbështetjes nga Uashingtoni.
Për herë të parë që nga fillimi i luftës, është Europa dhe Ukraina, jo SHBA-të, që do të kenë më shumë ndikim në përcaktimin e fatit të luftës. Megjithatë, kjo rritje e peshës gjeopolitike përkon me një moment të brishtë për vetë BE-në. Sepse kemi ekonomi të ngadalta. Politikë të përçarë. Kapacitete mbrojtjeje të dobëta. Presion amerikan që ushqen euroskepticizmin. Pyetja që ngrihet natyrshëm është, si mund të pretendojë Europa një rol strategjik në luftë, nëse mbetet e verbër në inteligjencë?
Një “njësi e re” nuk do ta ndryshoj këtë realitet psikologjik dhe politik. Por, nëse nxjerrim një mësimi nga NATO. Ai është që bashkimi funksionoi, sepse u bashkuan strukturat, jo sepse u shtuan. Zgjidhja nuk ishte krijimi i një agjencie të tretë, por shkrirja e plotë e tyre.
Ndërkohë, NATO dhe BE duhet të integrojnë më mirë kapacitet e tyre të inteligjencës. Çështjet e sigurisë nuk duhet të instrumentalizohen nga politika. Europës i duhen aftësi reale, jo struktura boshe.
