Një 39-vjeçar nga Kosova, është arrestuar në pikën kufitare të Morinës, teksa tentonte të hynte në vendin tonë, ndërkohë që kërkohej nga autoritetet lituaneze. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se pas hekurave ra shtetasi me inicialet B. K., banues në Kosovë.
NJOFTIMI I POLICISE
I dënuar me 2 vjet e 3 muaj burgim, nga autoritetet lituaneze, kapet nga shërbimet e Policisë Kufitare Morinë, në hyrje të RSh-së, 39-vjeçari. Si rezultat i kontrolleve me përzgjedhje dhe i verifikimeve në hyrje/dalje, me objektiva goditjen e paligjshmërive në kufi, si dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim, të cilët tentojnë të lëvizin ilegalisht për t’iu shmangur përgjegjësisë penale, shërbimet e Policisë Kufitare të Morinës, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Kukës, kapën në hyrje të RSh-së dhe arrestuan me qëllim ekstradimin, shtetasin kosovar:
B. K., 39 vjeç, banues në Kosovë.
Nga verifikimet e kryera dhe nga informacioni i shkëmbyer me Interpol Tiranën, rezultoi se ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Vilnius, Lituani, pasi Gjykata e Vilnusit e ka dënuar me 2 vjet e 3 muaj burgim, për veprën penale “Dëmtimi i papërfillshëm i shëndetit, kërcenimi për të vrarë ose për t’i shkaktuar një personi një dëmtim të rëndë shëndeti ose terrorizmi i një personi”.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Lituani, vijon procedurat për ekstradimin e 39-vjeçarit.
