Fillimi i vitit 2026 do të mbahet mend si momenti i një “tërmeti” gjeopolitik që ndryshon ekuilibrat botërorë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes njësive të tyre të specializuara dhe sekrete të Legjionit Delta, kanë kapur presidentin e Venezuelës, Nikolas Maduro, së bashku me bashkëshorten e tij, Cilia Flores. Një ngjarje që ka shkaktuar reagime edhe në botën e sportit, përfshirë Formulën 1.
F1 ka qenë historikisht një nga skenat ku regjimi bolivarian ka kërkuar të ngarkojë sportin me simbolikë politike. Për pesë sezone, Pastor Maldonado përfaqësoi Venezuelën në Formula 1, i mbështetur nga sponsorizimi i PDVSA-s (Petroleros de Venezuela). Kulmi i karrierës së tij ishte fitorja në Çmimin e Madh të Spanjës në Barcelonë në vitin 2012 me Uilliamsin.
Maldonado u largua nga F1 në vitin 2015 dhe marrëdhënia e tij me Venezuelën ka qenë gjithmonë e lidhur ngushtë me figurën e Hugo Çavez. Kapja e Maduros ka sjellë reagime edhe nga bota e Formula 1, këtë herë jo nga Maldonado, i cili prej kohësh është larg vëmendjes, por nga Serxhio Perez, një nga emrat e rinj të sezonit 2026.
Perez, i cili do të garojë për skuadrën e re Kadillak përkrah Valteri Botasit, nuk e harroi Venezuelën pas ngjarjeve të ndodhura në Karakas. “Vëllezër venezuelianë, ju dërgoj një përqafim me shumë dashuri. Jeni shembull se besimi nuk humbet kurrë”, tha piloti meksikan, duke e mbyllur mesazhin me fjalët: “Venezuelë e lirë”. Perez nuk është i vetmi sportist që ka reaguar publikisht, duke iu bashkuar figurave të tjera të njohura si alpinisti Erik Noia apo kajakisti Kristian Toro. Për Perezin, aksioni në Formula 1 do të rifillojë në janar. Ai do të testojë për herë të parë makinën Kadillak, pas provave në Itali me një Ferrari të vitit 2023 të kamufluar, dhe do të kërkojë të rigjejë ndjesitë pas një viti pa gara, pas largimit nga Red Bull Racing.
