Delcy Rodriguez u betua si presidente e përkohshme e Venezuelës në Asamblenë Kombëtare, në Karakas.

“Kam ardhur këtu për t’u betuar si Zëvendëspresidente Ekzekutive e Presidentit Kushtetues të Republikës Bolivariane të Venezuelës, Nicolás Maduro Moros. E bëj këtë me dhimbje për vuajtjet e popullit venezuelian si pasojë e agresionit të paligjshëm ushtarak kundër atdheut tonë”, tha Rodriguez gjatë ceremonisë.

Ajo e quajti presidentin Maduro dhe bashkëshorten e tij, Cilia Flores, heronj që po mbahen peng në Shtetet e Bashkuara.

“Betohem në nderin tim se nuk do të ndalem derisa ta shoh Venezuelën të realizojë ëndrrën e saj për të qenë një komb i lirë, sovran dhe i pavarur”, u shpreh Rodriguez.

Gjykata Supreme e Venezuelës ka emëruar Zëvendëspresidenten D. Rodriguez si kryetare të përkohshme të shtetit. Vendimi u mor nga Dhoma Kushtetuese e Gjykatës Supreme në lidhje me agresionin ushtarak të huaj dhe rrëmbimin e presidentit kushtetues të Venezuelës, Nicolás Maduro, më 3 janar 2026.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb