Një skenar i mundshëm për marrjen nën kontroll të Groenlandës nga Shtetet e Bashkuara po shkakton shqetësim serioz në Evropë, teksa administrata e Donald Trumpit akuzohet se po ndjek një strategji të ngjashme me modelin ekspansionist të Rusisë së Vladimir Putinit, shkruan POLITICO.
Sipas një analize të bazuar në intervista me zyrtarë të BE-së, figura të NATO-s, diplomatë dhe ekspertë të sigurisë, SHBA-të po shqyrtojnë disa hapa të koordinuar që mund të çojnë drejt shkëputjes së Groenlandës nga Danimarka dhe vendosjes së saj nën ndikimin amerikan.
Hapi i parë: Ndikimi politik dhe pavarësia
Administrata Trump ka nxitur hapur idenë e pavarësisë së Groenlandës, një territor gjysmë-autonom i Mbretërisë së Danimarkës. Një sondazh i vitit 2025 tregon se 56% e banorëve do të votonin për pavarësi. Autoritetet daneze kanë paralajmëruar për fushata të huaja ndikimi, ndërsa media lokale raporton për aktivitete të fshehta të lidhura me qarqe pro-Trump. Zyrtarë amerikanë, përfshirë zëvendëspresidentin J.D. Vance, kanë deklaruar se Groenlanda ka të drejtë vetëvendosjeje, duke sugjeruar një bashkëpunim të ngushtë me SHBA-në në rast shkëputjeje nga Danimarka.
Hapi i dytë: Marrëveshje strategjike me SHBA-në
Një nga opsionet e përmendura është nënshkrimi i një Marrëveshjeje të Asociimit të Lirë (COFA), e ngjashme me ato që SHBA ka me Mikronezinë dhe Ishujt Marshall. Këto marrëveshje i japin Uashingtonit akses të gjerë ushtarak në këmbim të mbrojtjes dhe ndihmës ekonomike. Megjithatë, shumica e banorëve të Groenlandës kundërshtojnë bashkimin e drejtpërdrejtë me SHBA-në, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se negociatat me Trumpin mund të rezultojnë të pafavorshme për ishullin.
Hapi i tretë: Pazare me Evropën
Një skenar tjetër përfshin përdorimin e Ukrainës si levë diplomatike. Sipas burimeve të BE-së, SHBA mund të ofrojë garanci më të forta sigurie për Kievin në këmbim të një qëndrimi më tolerant të Evropës ndaj rolit amerikan në Groenlandë.
Hapi i katërt: Opsioni ushtarak
Ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se, në rast refuzimi nga Danimarka ose Groenlanda, SHBA-të kanë kapacitetin ushtarak për të marrë kontrollin e ishullit brenda një kohe shumë të shkurtër. Groenlanda nuk ka ushtri territoriale, ndërsa prania ushtarake daneze është minimale dhe e kufizuar. Një pushtim i tillë do të ishte pa bazë ligjore dhe do të rrezikonte seriozisht unitetin e NATO-s, paralajmërojnë ish-zyrtarë të lartë ushtarakë amerikanë dhe ekspertë të sigurisë. Megjithatë, diplomatë të NATO-s theksojnë se një skenar i tillë mbetet për momentin i largët dhe se kriza pritet të zhvillohet kryesisht përmes negociatave politike.
