Prej gati dy ditësh Shqipëria po përballet me reshje intensive shiu, ndërsa shumë qarqe ndodhen nën ujë. Teksa dje përgjatë gjithë ditës Durrësi u përball me përmbytje masive, situata u bë dramatike nga pasditja dhe darka për Gjirokastrën.

Mes shirave të rrëmbyeshëm, shumë zona u pushtuan nga uji, 900 banesa u përmbytën në Durrës (dhe të tjera në zona të tjera të Shqipërisë), familje që evakuuan dhe rrugë që u mbyllën.

BalkanWeb përgjatë këtyre orëve të vështira për qytetarët e prekur nga përmbytjet ka raportuar çdo zhvillim me ngjarjet më të fundit, duke iu referuar informacione në terren të gazetarëve. Situata ngelet dramatike në Durrës, ku zona e ish-Kënetës ndodhet thuajse e gjitha nën ujë. Bllokimi i kolektorëve dhe kanaleve shkarkuese bëri që uji të vërshojë rrugëve të qytetit bregdetar, ndërsa kjo zonë u kthye sërish në Kënetë.

Përmbytjeve nuk i shpëtoi as burgu i Durrësit, ku kati i tij i parë u përfshi nga uji. Sakaq, probleme janë shkaktuar dhe në Vlorë, apo dhe Shkodër, Kukës, apo Belsh. Po ashtu, nga reshjet intensive dëme të mëdha pati në Gjirokastër, ku rrugët janë ‘pushtuar’ nga inertet dhe gurët, ndërsa shumë biznese kanë pësuar dëme materiale, pasi uji është futur brenda dyqaneve.

SITUATA NE DISA QYTETE
Durrësi nën pushtetin e ujit! Përmbyten 900 familje, nuk “shpëton” as Tregu Industrial
Situatë alarmante vijon të mbetet në Durrës p[as përmbytjeve si pasojë e reshjeve të dendura të shiut të cilat kanë vijuar gjatë të gjithë ditës së djeshme.

Gazetarja Klodiana Haxhiaj raporton se janë rreth 900 familje të cilat janë përmbytur në Bashkinë e Durrësit. Ndërkohë situata paraqitet e rëndë edhe në Tregun Industrial të qytetit, ku uji ka shkatërruar plotësisht të gjitha mallrat që ndodheshin aty.

Pamje nga burgu i Durrësit

Rrugët mbulohen nga inertet dhe gurët në Gjirokastër

Pamjet që shihni vijnë nga Gjirokastra, ku qyteti përgjatë pasdites dhe natës u përball me përmbytje të frikshme nga reshjet masive të shiut. Siç shihet nga pamjet e siguruara nga gazetarja Brikena Metaj për BalkanWeb qytetarët kanë përveshur mëngët dhe kanë nisur pastrimin e dëmeve.

Bizneset kanë hapur qepenët dhe kanë nisur nga pastrimi i ujit dhe baltës që ka ‘pushtuar’ dyqanet, ndërkohë që rrugët janë ‘zaptuar’ nga inertet dhe gurët. Ndërkohë shumë makina kanë ngelur të bllokuara mes inerteve.

Frikë për shembjen e urës, banorët e Orgjostit në Kukës rrezikojnë të izolohen
I gjithë territori i Qarkut Kukës vijon të jetë i përfshirë nga reshje shiu, duke sjellë rritje të riskut në rrugët nacionale, bashkiake dhe në ura. Si pasojë e kushteve atmosferike, subjektet kontraktore dhe drejtoritë e rrugëve rurale po punojnë me kapacitet maksimal gjatë gjithë kohës për të garantuar funksionalitetin e rrugëve nacionale dhe lidhjen me zonat rurale. Pavarësisht situatës, të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme. Në Bashkinë Kukës, problematika më shqetësuese mbetet ura e fshatit Orgjost, e cila vijon të jetë e rrezikuar pas dëmtimit të njërës nga këmbët mbajtëse. Banorët raportojnë se për shkak të përkeqësimit të situatës, fëmijët nuk janë lejuar të shkojnë në shkollë, ndërsa kërkohet ndërhyrje e menjëhershme nga strukturat e Emergjencave Civile në nivel vendor dhe qendror. Rreth 1 mijë banorë të dy lagjeve të fshatit rrezikojnë të izolohen.

Vijojnë të jenë të bllokuara disa segmente rrugore në Njësinë Administrative Zapod, konkretisht rrugët Cërnalevë dhe Oreshkë. Për shkak të motit të keq, sot nuk është zhvilluar mësimi për nxënësit e shkollës në Cërnalevë. Nga Bashkia Tropojë raportohet se nuk ka problematika, ndërsa situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat përkatëse. Në Bashkinë Has mbetet problematik rezervuari Helshan 2, pasi poshtë tij ndodhet një objekt shkollor, çka përbën risk për sigurinë. Sa i përket furnizimit me energji elektrike, i gjithë Qarku Kukës furnizohet normalisht, përjashtuar Njësitë Administrative Zapod, Shishtavec dhe Topojan në Bashkinë Kukës, ku vijojnë ndërprerjet për shkak të kushteve atmosferike. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të ndjekin njoftimet zyrtare, ndërsa strukturat e emergjencave vijojnë monitorimin e pandërprerë të situatës.

Reshje intensive edhe në Pogradec, dy lumenj rrezikojnë të dalin nga shtrati
Reshjet intensive të orëve të fundit kanë shkaktuar rritje të ndjeshme të nivelit të ujit në lumin e Starovës dhe lumin e Vërdovës, duke rritur rrezikun që ato të dalin jashtë shtratit. Autoritetet lokale bëjnë me dije se në terren janë angazhuar forca të shtuara për monitorimin e situatës, ndërsa strukturat përkatëse ndodhen në gatishmëri për të ndërhyrë në rast se niveli i ujërave vazhdon të rritet.

Banorëve, veçanërisht atyre që jetojnë pranë lumenjve, u bëhet thirrje të tregojnë kujdes të shtuar dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve. Sipas institucioneve përgjegjëse, deri në këto momente Bashkia e Pogradecit mbetet zona më problematike sa i përket ndikimit të motit të keq.

Si paraqitet situata në qarkun e Shkodrës
Në vijim të monitorimit të vazhdueshëm të situatës hidrometeorologjike nga Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër, në bashkëpunim me bashkitë dhe strukturat e Emergjencave Civile, situata në territorin e qarkut paraqitet kryesisht e qëndrueshme dhe nën kontroll. Në Bashkinë Shkodër, reshjet e shiut kanë pushuar prej disa orësh dhe deri më tani nuk raportohen emergjenca. Megjithatë, ka ende prezencë uji në disa zona me tokë bujqësore dhe oborre banesash. Grupet e punës vijojnë monitorimin në zonat me risk të lartë. Në zonën e Obotit, në rrugën kryesore evidentohet prezencë uji rreth 30–40 cm, duke lejuar qarkullimin vetëm për mjete të larta, ndërsa ujë është konstatuar edhe në disa oborre dhe sipërfaqe bujqësore.

Në Bashkinë Vau Dejës, reshjet e mbrëmjes së kaluar kanë qenë me intensitet mesatar. Përroi i Glinës dhe ai i Gjadrit kanë shënuar rënie të nivelit të ujit. Në Njësinë Administrative Bushat, në fshatrat Mal i Jushit dhe Hoten, rreth 15 familje raportohen të bllokuara për shkak të ujit, ndërsa strukturat vendore janë në gatishmëri dhe ndjekin nga afër situatën.

Në Bashkinë Malësi e Madhe, gjatë natës janë regjistruar reshje me intensitet të ulët, pa problematika të raportuara. Situata paraqitet e qetë dhe nën monitorim të vazhdueshëm. Në fshatin Kamicë, përroi i thatë është tërhequr nga rruga. Në Bashkinë Fushë-Arrëz, vijojnë reshje shiu me intensitet të ulët. Si pasojë e reshjeve të ditëve të mëparshme janë evidentuar shkarje dherash, rënie gurësh dhe prezencë uji në disa akse auto-rurale. Rrugët janë të hapura për qarkullim dhe po punohet për pastrimin e tyre. Në Bashkinë Pukë, aktualisht vijojnë reshje intensive shiu të shoqëruara me erë të fortë, por deri më tani nuk janë raportuar problematika apo emergjenca civile. Situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit Lezhë, niveli i ujit në Urën e Bunës është 1.80 metra, niveli i Liqenit të Shkodrës ndodhet në kuotën 7.7 metra, ndërsa në Dajç në kuotën 6.2 metra. Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të bashkëpunojnë me strukturat e Emergjencave Civile për çdo situatë të mundshme.

Reshje të dendura shiu në Vlorë, rrëshqitje dheu në fshatin Vajzë

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar rrëshqitje dheu në fshatin Vajzë, duke dëmtuar rrugën kryesore të zonës dhe dy banesa. Si pasojë e lëvizjes së masës së dheut nga kodra përreth, fillimisht është dëmtuar infrastruktura rrugore dhe më pas janë prekur edhe banesat. Autoritetet njoftojnë se policia ka ndërhyrë menjëherë duke evakuuar banorët e dy shtëpive të dëmtuara, për arsye sigurie. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar. Lëvizja e automjeteve në këtë segment rrugor po kryhet në mënyrë të kontrolluar, ndërsa strukturat përkatëse janë në terren për të vlerësuar situatën dhe rrezikun e rrëshqitjeve të tjera.

Dëmtohet rruga si pasojë e shirave në fshatin “Vajzë”, dëmtohen dy banesa. Rrëshqitja e dheut ka bërë që fillimisht rruga e këtij fshati të dëmtohet dhe më pas dheu i kodrës ka spostuar dy banesat duke i dëmtuar. Policia ka bërë evakuimin e tyre ndërkohë që lëvizja e automjeteve është bërë e kontrolluar.

Përmbyten dy shtëpi në Belsh

Qarku i Elbasanit ka përjetuar gjatë orëve të natës reshje shiu sporadike dhe me intensitet të ulët, me një sasi totale prej rreth 11 mm. Sipas raportimeve zyrtare, situata paraqitet e qetë dhe pa problematika serioze, ndërsa strukturat përkatëse mbeten në gatishmëri për çdo zhvillim të mundshëm. E vetmja problematikë e evidentuar është raportuar në Bashkinë Belsh, ku rreth orës 07:00 Drejtoria Vendore e Policisë ka njoftuar për prani uji në dy banesa,njëra në qytetin e Belshit, në zonën e ish-SMT-së, dhe tjetra në fshatin Qafë Shkallë. Menjëherë është njoftuar Bashkia Belsh për marrjen e masave të nevojshme dhe ndjekjen e situatës në terren.

Në bashkitë e tjera të qarkut nuk raportohen problematika apo situata emergjente. Akset rrugore nacionale dhe rurale janë të gjitha të hapura për qarkullimin e mjeteve. Në aksin nacional Gramsh–Moglicë ka pasur rënie inertesh në rrugë, të cilat janë pastruar në kohë nga firma kontraktuese, duke rikthyer normalitetin e lëvizjes. Prurjet e lumenjve dhe përrenjve janë në kuota mesatare dhe nuk paraqesin rrezik për përmbytje. Sa i përket furnizimit me energji elektrike, gjatë natës janë regjistruar disa stakime, ndërsa aktualisht mbeten pa energji fidri në Njësinë Administrative Përparim, Bashkia Peqin, si dhe fidri Klos–Mollas në Bashkinë Cërrik, ku po punohet për rikthimin e energjisë. Autoritetet lokale dhe strukturat e emergjencave vijojnë monitorimin e situatës, duke garantuar ndërhyrje të shpejtë në rast të përkeqësimit të kushteve atmosferike.

Ulet niveli i lumit Ishëm, uji tërhiqet nga zonat e përmbytura
Ndërprerja e reshjeve të shiut gjatë natës ka sjellë uljen e nivelit të lumit Ishëm, duke bërë që uji të nisë të tërhiqet në disa zona të prekura nga përmbytjet.

Megjithatë, problematike mbeten zonat e Bilajit, Murqinës dhe Mallkuçit, ku uji vijon të jetë i pranishëm nëpër ara. Shkak për këtë situatë është mosfunksionimi i kanaleve kulluese, çka po pengon largimin e plotë të ujit. Autoritetet lokale po monitorojnë situatën, ndërsa fermerët shprehen të shqetësuar për dëmet në tokat bujqësore.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: