GJKKO zbuti masën e sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie” për shtetasin kinez Hongping Xiao, CEO i kompanisë Bankers Petroleum. COE akuzohet për “krijimi i skemave mashtruese” lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar, “fshehje e të ardhurave”, “pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “shpërdorim detyre”, “moskryerje e detyrave nga organeve tatimore”, “korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendor”, “grup i strukturuar kriminal” dhe “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”.
Sipas prokurorisë, për 20 vite me radhë, kompania më e madhe e nxjerrjes së naftës në Shqipëri ka shmangur tatimet duke i shkaktuar miliona euro dëm buxhetit të shtetit. Kujtojmë se aksioni në “Bankers Petrolium Albania” u krye nga Prokuroria e Fierit më 2 korrik, e cila ekzekutoi 10 masa sigurie ndërsa në kërkim mbeten ende 4 persona të huaj. Dyshohet se kompania ka bërë deklarime të rreme tatimore dhe shmangie të detyrimeve financiare në një shkallë të mëdha.
Gjatë periudhës 2004–2024 kompania kineze akuzohet se ka kryer shitje dhe eksporte nafte në vlerën totale prej 532 miliardë lekë, por ka deklaruar humbje për çdo vit, me një total prej 11.7 miliardë.
Njoftimi i GJKKO:
1. Kërkuesit Hongping Xiao dhe Lianyi Wang me datë 21.10.2025 kanë paraqitur pranë
Gjykatës kërkesat me objekt: “1. Për marrjen e informacionit dy mujor, verifikimin e
gjëndjes së procedimit dhe zëvendësimin e masës së sigurimit për shtetasin HongPing
Xiao. 2. Për marrjen e informacionit dy mujor, verifikimin e gjëndjes së procedimit dhe
zëvendësimin e masës së sigurimit për shtetasin Lianyi Wang.”.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe
Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, bazuar në nenet
112, 237, 246/6 dhe 260/2 të K.Pr.Penale, me vendimin nr. 673, datë 07.01.2026, vendosi:
1. Pranimin e kërkesës së kërkuesit (person nën hetim) Hongping Xiao.
2. Zëvëndësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” e parashikuar nga
neni 238 i K.Pr.Penale e caktuar ndaj personit nën hetim Hongping Xiao me
vendimin nr. 62-2025-3952 (1084), dt. 02.07.2025 dhe vazhduar me vendimin nr.
62-2025-4052 (1102), dt. 05.07.2025 të Gjykatës së Shkallës së Parë të
Juridiksionit të Përgjithshëm Fier me masën e sigurimit personal “Arrest në
shtëpi” e parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale.
3. Urdhërohet personi nën hetim Hongping Xiao që të mos largohet nga banesa ku
ai banon e cila ndodhet në qytetin e **** me adresë: ****.
4. Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personit nën hetim Hongping Xiao nga
ambjentet e paraburgimit nëse ai nuk mbahet i arrestuar me ndonjë masë tjetër
sigurimi “Arrest në burg” si i dyshuar për kryerjen e ndonjë vepre tjetër penale
apo me ndonjë vendim dënimi me burgim.
5. Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit (personit nën hetim) Lianyi Wang.
6. Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar
dhe policia gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
7. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brënda 5 (pesë) ditëve në Gjykatën e
Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, afat i cili fillon nga
dita njoftimit të vendimit të gjykatës.
Tiranë, më datë 07.01.2026
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar
