Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Minneapolis në SHBA, ku një agjent i Imigracionit dhe Doganave (ICE) ka qëlluar për vdekje një grua 37-vjeçare, Renee Nicole Good, duke nxitur reagime të forta dhe përplasje publike mes autoriteteve lokale dhe administratës së presidentit Donald Trump.
Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare deklaroi se viktima ishte një “person i dhunshëm” që kishte tentuar të shtypte agjentët e ICE-së me automjet, duke e cilësuar të shtënën si akt vetëmbrojtjeje. Megjithatë, ky version është hedhur poshtë nga drejtuesit lokalë të qytetit.
Kryebashkiaku i Minneapolis, Jacob Frey, e quajti incidentin “një përdorim të pamatur të pushtetit që rezultoi në humbjen e jetës së një qytetareje”, duke reaguar ashpër ndaj pranisë së ICE-së në qytet dhe duke u kërkuar agjentëve të largohen.
Ngjarja ndodhi rreth orës 10:25 të mëngjesit, sipas orës lokale, në një zonë banimi në Portland Avenue. Video të publikuara në rrjetet sociale tregojnë një SUV ngjyrë gështenje që bllokon rrugën, ndërsa përreth ndodhen protestues dhe mjete të zbatimit të ligjit. Në pamje shihen agjentë të imigracionit që i afrohen automjetit dhe i kërkojnë shoferes të zbresë. Në një moment, teksa mjeti tenton të largohet, një agjent hap zjarr. Dëgjohen tre të shtëna dhe automjeti përplaset me një makinë të parkuar.
Presidenti Trump, në një postim në Truth Social, deklaroi se një agjent i ICE-së ishte “shtypur egërsisht” dhe ndodhet në spital duke u rikuperuar. Ai fajësoi gjithashtu “të Majtën Radikale” për, sipas tij, kërcënime dhe sulme të vazhdueshme ndaj forcave të rendit.
Nga ana tjetër, shefi i policisë së Minneapolis, Brian O’Hara, tha se gruaja ndodhej në automjetin e saj dhe po bllokonte rrugën, kur një oficer federal iu afrua në këmbë dhe ajo tentoi të largohej. Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, deklaroi se Good kishte penguar oficerët gjatë gjithë ditës dhe u përpoq të përdorte automjetin si armë, duke e cilësuar incidentin si “terrorizëm vendas”.
Këto pretendime janë kundërshtuar nga Këshilli Bashkiak i Minneapolis, i cili tha se viktima thjesht “po kujdesej për fqinjët e saj” në momentin kur u qëllua. Edhe guvernatori i Minesotës, Tim Walz, hodhi poshtë deklaratat federale, duke i quajtur ato propagandë dhe duke premtuar një hetim të plotë, të drejtë dhe të shpejtë.
Dëshmitarë okularë kanë dhënë versione që bien ndesh me atë zyrtar federal. Një banore, Emily Heller, tha për CNN se pa një agjent që qëlloi gruan përmes xhamit të përparmë, ndërsa automjeti ishte në lëvizje.
Incidenti ka nxitur protesta dhe marshime në disa zona të Minneapolis, ku qytetarë të shumtë kanë dënuar të shtënat dhe kanë kërkuar largimin e ICE-së nga qyteti. Ndërkohë, FBI-ja ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa operacionet e ICE-së në Minneapolis pritet të vazhdojnë.
