Probleme të shumta janë shënuar edhe në Rrugën e Arbrit.
Që prej orës 07:30, si pasojë e reshjeve të dendura të borës në zonën e Tunelit të Murrizit, disa automjete kanë dalë nga rruga dhe kanë përfunduar në kanal. Raportohet gjithashtu për përplasje mes mjeteve, të shkaktuara nga rrëshqitja në borë.
Situata ka qenë problematike si në krahun e Tiranës, ashtu edhe në krahun e Klosit, ku rruga ka qenë e bllokuar për më shumë se një orë.
Vështirësi në qarkullim janë konstatuar edhe në segmentin nga Ura e Vashës deri në Peshkopi, si dhe në Tunelit të Qafë-Buallit, ku shumë automjete kanë mbetur të bllokuara nga bora.
Policia Rrugore ndodhet në terren dhe po punon për shmangien e aksidenteve, ndërsa situata vijon të përkeqësohet për shkak të reshjeve të vazhdueshme të borës dhe ngricave, që e bëjnë lëvizjen gjithnjë e më të vështirë në Rrugën e Arbrit.
Autoritetet kërkojnë nga firma mirëmbajtëse të ndërhyjë urgjentisht me hedhjen e kripës dhe skorieve për të garantuar qarkullimin e mjeteve.
Ndërkohë, Policia u bën apel drejtuesve të automjeteve të përdorin goma dimërore dhe zinxhirë, si dhe të tregojnë kujdes maksimal gjatë lëvizjes.
