Situata e përmbytjeve është përkeqësuar si pasojë e çarjes së argjinaturës së lumit Drojë, duke shkaktuar vërshime të mëdha uji në dy fshatra: Dukagjin i Ri dhe Miliskaj.
Më e rëndë paraqitet gjendja në fshatin Miliskaj, ku uji ka depërtuar në dhjetëra banesa. Sipas të dhënave paraprake, rreth 50 familje janë prekur nga përmbytjet, ndërsa në disa banesa niveli i ujit arrin deri në 1.5 metra, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe vështirësi serioze për banorët.
Banorët e zonës shprehen se situata është e vështirë dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet për evakuimin e familjeve në rrezik dhe për forcimin e argjinaturës së dëmtuar, me qëllim parandalimin e përkeqësimit të mëtejshëm të situatës.
Në terren ndodhen strukturat e emergjencave civile dhe shërbimet përkatëse, të cilat po monitorojnë situatën dhe po punojnë për menaxhimin e përmbytjeve dhe ndihmën ndaj banorëve të prekur. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të zonave të rrezikuara të tregojnë kujdes maksimal dhe të ndjekin udhëzimet e dhëna nga institucionet përgjegjëse.
